Dinamo, ndeshje kontrolli në prag të sfidës me Mamurrasin
Stafi teknik i bluve është duke punuar për përcaktimin e formacionit bazë të skuadrës për ti dhënë kështu edhe dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e së shtunës kundër Mamurrasit
Dinamo dje ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit, ku stafi teknik ka pasur mundësi të shohë edhe një herë formën e lojtarëve. Përballë njëri-tjetrit janë vënë formacioni që mendohet se do të startojë edhe sfidën e parë të kampionatit me Mamurrasin, kundër lojtarëve që janë aktivizuar më pak në miqësoret e fundit. Megjithatë, ende nuk është vendosur përfundimisht se cilët do të jenë lojtarët që do ta nisin si titullarë sfidën hapëse të bluve për Kategorinë e Parë.
Por, mendohet se futbollistët që janë aktivizuar nga minuta e parë në testet e fundit do të jenë pikërisht ata që do tu besohet nga ana e trajnerit Zhupa për të arritur fitoren e parë dhe për ta nisur kështu mbarë këtë sezon. Një lajm i mirë vjen edhe nga infermieria, pas rikthimit nga një dëmtim të Cangës, i cili ka luajtur në ndeshjen e kontrollit të zhvilluar dje gjatë seancës stërvitore.
Numri 1 i stoli dinamovit kërkon me çdo kusht fitore në javën e parë dhe për këtë po punohet maksimalisht. Dinamo pretendon që këtë vit të ngjitet përsëri në Superligë dhe për këtë arsye kërkohet që prej çdo sfide që do të zhvillohet gjatë këtij sezoni të merret maksimumi.
Vetëm kështu do të arrihet edhe objektivi kryesor. Takimi me Mamurrasin po afron dhe puna e stafit teknik tashmë është përqendruar vetëm te konturimi e formacionit bazë. Kjo do të vendoset edhe nga forma që lojtarët do të tregojnë gjatë ditëve të mbetura.
Deri në këto momente nuk ka probleme me dëmtimet dhe kjo është një shenjë e mirë. Sfida hapëse për Dinamon në Kategorinë e Parë pritet me interes edhe nga tifozët, të cilët garantojnë mbështetjen e skuadrës së tyre, pasi në këtë periudhë ajo ka nevojë më shumë se kurrë për ta.
