E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulëzim Sallaku blen aksionet e Partizanit

60% të aksioneve të Albert Xhanit janë blerë nga Lulëzim Sallaku, kjo është e vërtetuar me akte noteriale, për një shumë prej 1.7 milionë eurosh. Ndërkohë që Paro Laçi do të jetë personi që do të merret me ekipin

Më në fund duket se edhe hallet e Partizanit kanë marrë fund, të paktën nga ana administrative. Një takim i shpejtë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pjesëmarrës kanë qenë palët e interesuara, i ka dhënë fund zvarritjeve dhe hamendjeve, duke sanksionuar Lulëzim Sallakun si presidenti e skuadrës dhe Paro Laçin si personi i autorizuar të merret me ekipin. Gjithçka ka ndodhur në paraditen e së hënës, ku palët kanë vendosur të gjitha detajet. Flitet që 60% të aksioneve të Albert Xhanit janë blerë nga Lulëzim Sallaku (kjo është e vërtetuar me akte noteriale) për një shumë prej 1.7 milionë eurosh. Megjithatë, edhe kjo pak rëndësi ka, i rëndësishëm është fakti që më në fund, sipas të gjitha rregullave skuadra legjendë e Shqipërisë është në rrugë të mbarë dhe ka përmbushur të gjitha rregullat e vendosura nga Federata. Në radhë të parë dua të falënderoj presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka, i cili është treguar shumë transparent në gjithçka që është vendosur për klubin e futbollit Partizani. Ka qenë kjo fjalia e parë e dhënë nga Lulëzim Sallaku, i cili më pas ka shtuar: Po, është e vërtetë, unë kam blerë aksionet e Albert Xhanit, por gjithçka do e bëj në bashkëpunim me Paro Laçin. De jure president jam unë, de fakto president i skuadrës është Paro Laçi. Të dy së bashku do mendojmë dhe për këtë jemi të bindur në rimëkëmbjen e kësaj skuadre legjendare. Sallaku flet, por zjarrin e deklaratave më të bukura e ka aksionari tjetër, Paro Laçi. Premtojmë ngritjen e një skuadre moderne dhe parametra bashkëkohorë. Koha do vërtetojë edhe idetë tona, megjithatë Partizanin e vërtetë do e shihni në 26 shtator në ndeshjen e kupës kundër Tiranës. Një ndeshje e madhe, një derbi që Shqipëria ka kohë që e kërkon, por e kërkojnë më shumë mijëra tifozë të Partizanit, të cilëve iu garantoj një sfidë speciale e natyrisht një fitore nga ana e skuadrës tonë. Megjithatë të gjitha këto janë fjalë të dala menjëherë (1 orë pas firmosjes së marrëveshjes), ku edhe ana emocionale ka bërë të vetën. Por një fakt është e për këtë jemi të bindur, futbolli në Shqipëri ka nevojë për Partizanin, një legjendë, e cila prej kohësh përpëlitet, duke arritur edhe nivelin 0 në Kategorinë e Dytë. Por mesa duket ditët e këqija edhe për këtë skuadër kanë përfunduar dhe premtimi i presidencës së kuqe se në 26 shtator, ditën kur do jetë përballja me Tiranën është një ogur i mirë për tifozerinë e kësaj skuadre, por njëkohësisht edhe për gjithë futbollin shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›