Sallaku-Laçi bien dakord: Stafi nuk ndryshon, Partizani synon goditjen e fundit në merkato
Dy bashkë pronarët e Partizanit, Lulëzim Sallaku, që ka blerë aksionet e Xhanit, si dhe Paro Laçi, kanë nisur një bashkëpunim, që pritet të dërgojë të kuqtë e kryeqytetit drejt elitës së futbollit
Java ka nisur me ndryshime të madhe tek Partizani, ku pas 13 vitesh drejtim Albert Xhani ka hapur krahun dhe 60 përqindëshi i aksioneve që ai kishte në shoqëri, i janë shituar Lulëzim Sallakut dhe grupit të biznesmenëve që ai përfaqëson, për 1.7 milion euro. Ndryshimet e ndodhura janë pasqyruar edhe në QKR, ku Lulëzim Sallaku ka rolin e administratorit të shoqërisë. Por ajo që duhet vlerësuar për momentin është bashkëpunimi i frytshëm mes dy drejtuesve, të cilët ndonëse kanë kohën kundra, po bëjnë të pamundurën, që Partizani të kthehet në vendin që i takon.
Së fundi ka pasur plot zëra që ndryshimet do të vijojnë edhe në stafin teknik, i cili prej dy muajsh ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Janë lakuar disa emra, por sipas Paro Laçit, ai dhe ortaku i tij, Lulëzim Sallaku kanë gjetur gjuhën e përbashkët, që puna të vijojë me stafin aktual. Pra, Nikolin Çoçlli do të vijojë detyrën e trajnerit së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Marko Pelinxhi, Ylli Shehu dhe Dashamir Gëzadari.
Garancia finaciare Ndryshimi i ndodhur thuhet se do ti garantojë Partizanit, atë që i mungon prej gati katër sezonesh, garancinë financiare. Me ardhjen e Lulëzim Sallakut në krye të Partizanit, thuhet se ka një vullnet të mirë edhe nga biznesmenë të tjerë, që duan të financojnë për të kuqtë e kryeqytetit.Kam bindje se te Partizani ka nisur një erë ndryshimi, ku gjërat do të shkojnë në sensin e duhur.
Këtë gjë e vërteton edhe marrëdhënia dhe bashkëpunimi shumë i mirë që kemi edhe ne drejtuesit. Nën administrimin e Sallakut te Partizani do të jetë e garantuar ana financiare, pasi përveç atij do të afrohen edhe 2-3 biznesmenë të tjerë, të cilët do të garantojë realizimin e objektivit primar që kemi, ngjitjen në superligë,- u shpreh për Sportin shqiptar, Paro Laçi.
Sallaku- Laçi inspektojnë bardheblutë
Partizani i sezonit të ri nuk është 100% gati për fillimin e kampionatit, pasi drejtuesit kryeqytetas mbeten në merkato. Në kuadër të konfigurimit sa më të shpejtë të grupit Lulëzim Sallkau dhe Paro Laçi nën shoqërinë e trajnerit të të rinjve të Partizanit, Genc Tomorri, dje kanë qenë të pranishëm në stadiumin Selman Stërmasi në kohën kur Tirana po bënte përgatitjet e radhës. Drejtuesit e kuq ishin për inspektim tek bardheblutë, ku kishin shkuar për të vëzhguar ndonjë element, që mund tu bëjë punë.
Demat kërkojnë të huazojnë ndonjë futbollist nga Tirana. Madje drejtuesit e kuq dje janë takuar edhe me administratorin bardheblu, Salih Tagani dhe drejtorin sportiv, Alban Tafaj. Të kuqtë kanë pikasur dy-tre elementë, të cilët kërkojnë ti huazojnë, por gjithçka varet nga drejtuesit e Tiranës. Padyshim lajtmotivi i momentit për Partizanin është shfrytëzimi në maksimum i ditëve të mbetura në merkato, ku të gjithë janë të angazhuar për të gjetur elementët e munguar. Paro Laçi, premton se deri në mbyllje të merkatos Partizani do ta bëjë edhe goditjen e tij.
5-0, Ada mundi ekipin e Xhanit dhe Zhupës, përsëritjen ta kërkojë me Dinamon
Sezoni i ri për të kuqtë e kryeqytetit nis të shtunën në transfertën e Velipojës. Partizani kërkon që ta nisë mbarë përballjen me Adën, pasi ata duan që të gabojnë sa më pak, në mënyrë që objektivi superligë të mos vihet në dyshim në asnjë moment. Por emri i kundërshtarit ka shije të hidhur për të kuqtë, pasi në sezonin 2009-2010, Partizani është mundur turpshëm, 5-0, në Velipojë. Por për drejtuesin e të kuqve, Paro Laçi, ajo çfarë ka ndodhur aso kohe nuk mund të përsëritet më, pasi në atë takim nuk është mundur Partizani, por ekipi i Albert Xhanit dhe trajnerit Eduard Zhupa. Padyshim kërkojmë një Partizan pretendent dhe për të qenë të tillë, po punojmë deri në vërshëllimën e parë të sezonit. Kampionatin e nisim në një fushë të vështirë si ajo e Velipojës, ku padyshim do të kërkojmë që ta nisim me këmbën e mbarë. Adën e respektojmë, si dhe drejtuesit e velipojakë i kemi miq të mirë. Por një gjë dua të them, se kësaj radhe nuk mund të përsëritet ajo që ka ndodhur para tre vitesh, ku ekipi u mund 5-0. Atëherë nuk u mund Partizani, por ekipi i dyshes Xhani-Zhupa. Gjithsesi, Ada e ka mundësi që ta përsëri këtë rezultat, jo me ne, por me Dinamon, e cila drejtohet nga trajneri që i shkaktoi ekipit atë humbje turpëruese,- vijon më tej Paro Laçi.
Tifozët e kuq mirënjohës presidentit të FSHF-së, Armando Duka
Mosmarrëveshjet mes aksionarëve të Partizanit kanë nisur prej kohësh dhe si rezultat i këtyre divergjencave skuadra përfundoi deri në Kategorinë e Dytë. Edhe këto muaj vere kanë qenë të nxehta në kampin e kuq, pasi aksionarët nuk po gjenin gjuhën e përbashkët, në mënyrë që Partizani të vijonte normalisht punën për sezonin e ri. Ndonëse situata po shkonte drejt limiteve të duhura, gjërat mbeteshin zvarrë. Është dashur ndërhyrja e presidentit të FSHF-së Armando Duka, i cili i ka mbledhur drejtuesit e Partizanit dhe falë punës bindëse të tij, është bërë e mundur zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Produkt i kësaj ndërhyrje të presidentit Duka ishte shitja e aksioneve që Albert Xhani zotëronte te Partizani. Tifozëria e kuqe e ka pritur me entuziazëm këtë ndryshim në kokë dhe ata njëzëri i janë mirënjohës presidentit të FSHF-së, Armando Duka. Prandaj nëpërmjet medias një përfaqësi e tifozëve të Partizanit kërkojnë të falënderojnë dhe i shprehin gjithë respektin e tyre presidentit Duka, pasi në këtë rast ai ishte katalizatori që solli shpëtimin e skuadrës së tyre të zemrës.
Sukthi përmbyll përgatitjet verore të demave të kuq
Në paraditen e sotme drejtuesit e Partizanit kanë vendosur të zhvillojnë një takim miqësor, që padyshim do të jetë testi i fundit para nisjes së kampionatit të ri. Të kuqtë do të jenë sot përballë Sukthit, takim i cili do të shërbejë si një ndeshje kontrolli para premierës me Adën. Por njëkohësisht në këtë takim do tu lihet vend edhe futbollistëve, që po provohen te të kuqtë. Pas kësaj ndeshje miqësore futbollistët e huaj që po përgatiten me Partizanin do të mësojnë verdiktin e drejtuesve. Pozitiv konsiderohet fakti se në prag të fillimit të kampionatit të kuqtë kanë më shumë lojtarë në dispozicion, pasi të shumtë kanë qenë të dëmtuarit. I fundit që konsiderohet i gatshëm për trajneri Çoçlli është mbrojtësi majtë, Arlind Xaka
