E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferhati

Pas një sëmundjeje të rëndë

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, dje në mëngjes vdiq nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Ferhati. Ai ishte kryetar i rizgjedhur i Komunës së Istogut në zgjedhjet lokale të vitit 2009. I ndjeri Ferhati vdiq në një spital në Gjermani. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, Fadil Ferhati, i cili ishte nënkryetar i LDK-së. Në telegramin e ngushëllimit thuhet, pos tjerash, se i ndjeri Ferhati “ka dhënë kontribut të veçantë në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Edhe LDK-ja njoftoi se kryesia e kësaj partie i ka dërguar ngushëllime familjes së të ndjerit dhe qytetarëve të Istogut.
Presidenti Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ferhati. “Qytetarët e Istogut në zgjedhjet e fundit lokale, me votën e lirë i dhanë sërish Fadilit besimin që t’u prijë edhe në katër vjetët e ardhshme. Fitorja e tij në këto zgjedhje ridëshmoi se ai kishte arritur paktin e mirëbesimit me qytetarët e kësaj komune”, thuhet përveç të tjerash në telegramin e Presidentit. Edhe Kryeministri Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Ferhati, qytetarët e Istogut dhe kryesinë e LDK-së. “Jeta dhe vepra e z. Ferhati ka qenë në shërbim të shtetit. Të gjithë ne do ta kujtojmë kontributin e çmuar të z. Ferhati në funksion të avancimit të proceseve pozitive në Komunën e Istogut dhe në tërë Kosovën”, thuhet ndër të tjera në telegram.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›