Lëvizjet e janarit

Afati kalimtar i janarit ka qenë i mirëseardhur për disa futbollistë shqiptarë, që aktivizohen nëpër liga të ndryshme evropiane.
Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e afatit kalimtar të dimrit, rreth 20 futbollistë shqiptarë kanë ndërruar skuadrat.
Lëvizjen më të madhe të këtij afati e kanë bërë Ymer Xhaferi, i cili nga KEK-u u transferua te klubi finlandez FF Jaro dhe gjakovari Gjergj Bushaj, i cili nga Vëllaznimi kaloi te skuadra kroate Istra Pula.
Ndërsa, kalimi më i madh i futbollistëve nga klubi në klub është bërë në Challange League (ligën e dytë zvicerane). Yverdon ka angazhuar Florian Berishën dhe Altin Osmanin. Kriens ka transferuar Gëzim Shalajn, sikurse Le Mont, Zahir Idrizin, derisa Vaduz është përforcuar me Safet Etemin.
Një lëvizje e papritur është bërë edhe nga Shefki Kuqi. Edhe pse në verë firmosi kontratë dyvjeçare me Koblenzin, ai vetëm pas gjashtë muajsh i tha lamtumirë klubit gjerman. Sulmuesi kosovar u rikthye sërish në futbollin anglez, duke nënshkruar për një vit e gjysmë me Swansea City.
Priten transfere të tjera
Deri në mbyllje të afatit kalimtar të dimrit, i cili përfundon në fund të këtij muaji, pritet të ketë edhe transfere të tjera të lojtarëve shqiptarë. Njëri nga ta është talenti shqiptar, Bashkim Kadri, për të cilin në garë janë tri skuadra: Borussia Dortmund, OB Odense dhe AGF Aarhus.
Edhe Përparim Hetemaj pritet ta gjejë një klub të ri. Reprezentuesi i Finlandës është i pakënaqur me klubin holandez Twente, derisa është në kërkim të një klubi ku mund të luajë rregullisht.
Në minutat e fundit të afatit kalimtar, skuadër mund të ndërrojë edhe kosovari Migjen Basha. Për mesfushorin e Frosinones interesim kanë shprehur Atalanta, Sampdoria, Fiorentina, Udinese etj.
Po ashtu, Emir Bajrami mund t’i japë fund eksperiencës së tij tek Elfsborg. Për futbollistin kosovar, interesim kanë shfaqur skuadrat Torino dhe Sporting Lisbona.
Futbollistë të tjerë që mund të ndërrojnë skuadër janë edhe Faton Toski, i cili nuk po gjen hapësirë te Eintracht Frankfurt dhe mbrojtësi Blerim Rrustemi, i cili pas ndarjes me Vllazninë e Shkodrës, ka mbetur pa klub.
Kalimet e janarit
nga në
Ymer Xhaferi KEK Jaro
Gjergj Bushaj Vëllaznimi Istra Pula
Driton Krasniqi KEK Skënderbeu
Elvir Beqiri Vllaznia Khazar Lankaran
Shefki Kuqi Koblenz Swansea City
Bekim Kastrati D. Dresden Bonner
Xhevdet Gela Atlantis Haka
Edgar Çani Palermo Piacenza
Shkëlzen Gashi Zurich Xamax
Pajtim Kasami Lazio Bellinzona
Gëzim Shalaj Dudingen Kriens
Zahir Idrizi Wohlen Le Mont
Florian Berisha Sion Yverdon
Safet Etemi Schaffhausen Vaduz
Altin Osmani Basel U21 Yverdon
Edmond Kapllani Augsburg Koblenz
Xhevahir Sukaj Orduspor Ismaily SC
Shpëtim Hasani Sirius Norrkoping