Dinamo nuk ndalet, mund Besën dhe hipotekon titullin
Që titulli kampion i Shqipërisë është i Dinamos, për momentin duket sikur mungon vetëm ana matematikore, e cila nuk i lejon blutë që të festojnë para kohe. Gjithsesi asnjë nga ndjekësit më të afërt të tyre nuk i ka kushtet që t’i ndjekë kryesuesit në këtë garë, e cila tashmë duket se do të jetë një formalitet, që do të kurorëzohet me zyrtarizmin e bluve si fituesit e trofeut më prestigjioz të futbollit shqiptar. Pesëmbëdhjetë pikë diferencë: Kjo është largësia e krijuar pas ndeshjes direkte mes Dinamos dhe Besës, e fituar 1-0 nga blutë kryeqytetas, që tashmë e kanë “hipotekuar” titullin kampion, edhe pse për ndjekësit e tyre ekzistojnë vetëm shpresat matematike. Djemtë e trajnerit Shkëlqim Muça kanë demonstruar supremacinë e tyre në këtë sezon, pikërisht në ndeshjen direkte me rivalët e tyre më koherentë, në një ndeshje domethënëse, duke thelluar edhe distancën mes tyre. Por edhe duke iu referuar ecurisë tejet pozitive në këtë edicion, mund të thuhet, thuajse me siguri, se lufta për titull tashmë ka marrë fund. Edhe pse duhet edhe një fazë e tretë për përfundimin e këtij sezoni (2009-2010), ku nuk kanë kaluar më shumë se 21 javë kampionat, Dinamo e sheh veten në krye dhe e pashqetësuar nga askush në rrugën drejt titullit kampion. Në këtë mënyrë, mbetet të luftohet në drejtime të tjera, për të zënë një vend në klasifikim, që do të thotë “Kupa të Europës”, por edhe për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Sa i takon ndeshjes së fundit, asaj përmbyllëse të javës së 21, e luajtur në “Qemal Stafa”, mes Dinamos dhe Besës, deciziv ishte goli i shënuar në minutën e 31 nga argjentinasi Souza. Më pas ka qenë një mbrojtje hermetike e Dinamos, që niste nga mesfusha, duke i mbajtur kavajasit larg portës së Kotorrit. Natyrisht, Besës i ka munguar disi qetësia dhe qartësia në ndërtimin e aksioneve, por kjo është diktuar edhe nga kundërshtari, që ka qenë i vendosur në mënyrë të përsosur në fushë nga trajneri Muça. Trajneri Shpëtim Duro i Besës ka provuar gjithçka, qoftë me zëvendësimet e kryera, qoftë me ndërrimin e roleve të lojtarëve në fushë, por nuk ia ka dalë mbanë. Goli i Souzës ka mbetur i paprekur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor, Lorenc Jemini, çka e ka ruajtur fitoren e bluve dhe i ka dhënë Dinamos tri pikë të tjera, të cilat e kanë distancuar 15 pikë nga ndjekësit më të afërt në këtë përballje direkte, verdhezinjtë. Në të njëjtën kohë ka shuar çdolloj enigme apo intrige sa i përket luftës për titullin kampion. Titull i cili e ka marrë rrugën prej kohësh drejt Dinamos, që tashmë është “hipotekuar” prej saj, por që pret vetëm formalizimin matematik, pasi nuk priten surpriza të jashtëzakonshme.
#