Pavarësia, testi i Shqipërisë B
Ashtu siç pritej, lista për miqësoren e Pavarësisë, e hartuar nga trajneri Josip Kuzhe, përmbante pak surpriza. Thuajse i gjithë kontingjenti me 18 futbollistë, që janë më të mirët e Kategorisë Superiore (vetëm me një përjashtim), për ndeshjen e 17 shkurtit kundër përfaqësueses së Kosovës, është prej kohësh në “orbitën” e ekipit kombëtar. Ata që cilësohen si kandidatë për një fanellë kuqezi, për eliminatoret e ardhshme, por edhe si talente që mund t’i shërbejnë skuadrës në terma afatgjatë. Jo më kot skuadra quhet Shqipëria “B”. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre ishin të pranishëm në “zborin” e janarit të zhvilluar në Antalia të Turqisë, ndërsa vetëm dy lojtarë mund të cilësohen “new entry”, që prej emërimit të teknikut kroat. I pari është një emër mjaft i njohur në radhët e përfaqësueses: bëhet fjalë për portierin Ilion Lika. “Gardiani” i Kastriotit ka qenë një pjesëtar i rregullt i skuadrës, me 14 prezenca, madje duke u aktivizuar edhe si titullar në shumë raste. 29-vjeçari nuk grumbullohej prej më shumë se dy vitesh, ndërsa tashmë që është rehabilituar plotësisht pas një dëmtimi të gjatë, Kuzhe ka vendosur t’i japë Likës një shans, për të provuar se e meriton të jetë në eliminatoret e Euro 2012. Ish-portieri i Terek Groznit do të jetë konkurrent i Isli Hidit dhe Samir Ujkanit, por edhe i numrit 1 aktual të portës, Arjan Beqaj. Emri i dytë i ri, që ndoshta spikat më shumë se të tjerët është ai i 18-vjeçarit, Hamels Hoxha. Ai militon në Greqi me Iraklisin dhe Kuzhe e ka evidentuar gjatë grumbullimit stërvitor të U-19 dhe U-21 të zhvilluar në gjysmën e dytë të janarit, me talentet shqiptare që jetojnë dhe luajnë në tokën helene. Lojtari ishte një kandidat për përfaqësuesen e moshave, të drejtuar nga Ramadan Shehu, por “timonieri” kuqezi është impresionuar aq shumë nga potenciali i tij, sa ka vendosur t’i japë një shans në miqësoren për Pavarësinë. Hoxha luan në rolin e mbrojtësit, një repart që federata dhe stafi teknik i Kombëtares po bëjnë të pamundurën për ta përforcuar për ndeshjet e aktivitetit kontinental. Edhe pse djaloshi duhet parë që të konfirmohet me U-19 dhe U-21, trajneri ka menduar t’i japë disa stimuj më tepër.
Një tjetër fakt që bie në sy është se nga elementët e grumbulluar, tetë prej tyre kanë luajtur më parë ose janë pjesë e përhershme e Kombëtares. Pas Ilion Likës, ata janë Andi Lila, Arjan Pisha, Franc Veliu, Jetmir Sefa, Gjergji Muzaka, Emilian Vila dhe Elis Bakaj. Nuk kishin si të mungonin tre sulmuesit e talentuar, Sokol Cikalleshi, Bekim Bala dhe Odise Roshi, për të cilët Kuzhe nuk ka nguruar që të flasë me superlativa, duke i cilësuar lojtarë të së ardhmes së sulmit kuqezi. Në mesfushë, “nën armë” janë thirrur edhe Gentian Muça i Dinamos dhe Emiljano Veliaj i Laçit, të cilët gëzojnë mbështetje nga drejtuesi i stolit. Nga elita e futbollit shqiptar, Dinamo dhe Tirana janë dy skuadrat më të përfaqësuara në këtë miqësore: dy skuadrat kryeqytetase kanë nga pesë lojtarë secila. Pas tyre vjen Flamurtari me tre futbollistë të grumbulluar, ndërsa Vllaznia, Besa, Laçi dhe Kastrioti përfaqësohen vetëm nga një lojtar.
#