E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, stërvitje profesionale me teknologjinë e fundit

Dinamo ka kryer dje stërvitjen e radhës, por ajo që binte në sy ishte përdorimi, nga ana e trajnerit Zhupa, të aparaturave të sofistikuara për zhvillimin e testeve të ndryshme nga futbollistët që ishin prezent në këtë seancë

 

Nga ANDI TANKU

Dinamo i është rikthyer stërvitjes në shtëpi, pas qëndrimit disa ditor në kompleksin stërvitor në Kamëz. Stafi teknik i bluve, nën drejtimin e trajnerit Zhupa, në seancën e djeshme kanë sfiduar temperaturat e larta, të cilat shkonin deri në 40 gradë celsius, duke punuar me një intensitet të lartë për më shumë se 3 orë. Por e reja nuk është kjo, pasi nuk ndodh për herë të parë që dinamovitët të stërviten me orare të zgjatura, sidomos në këtë periudhë që vazhdojnë seleksionimet për të afruar lojtarë të rinj, që do të bëjnë pjesë në ekip vitin e ardhshëm. Ajo që duhet veçuar është se, puna që po kryen trajneri Zhupa, me futbollistët që janë në organikën e bluve dhe ata që pretendojnë të jenë, është një risi më vete. Kjo pasi dje janë vënë në përdorim edhe aparate të teknologjisë së fundit në shërbim të stërvitjes. Lojtarët që ishin prezentë në këtë seancë, falë këtyre aparaturave u janë nënshtruar të gjitha testeve të mundshme duke filluar nga ato fizike, të forcës dhe të shpejtësisë. Si fillim është vënë në përdorim sistemi polar dhe më pas përdorimi i Mikrogate, e cila funksionon përmes një kamere dixhitale e nevojshme për testin Aveta. Këto teste kanë zgjatur për më shumë se 50 minuta, për tia lënë vendin testit aerodinamik. Prova e fundit ishte ajo e Gaçonit dhe matja e shpejtësisë maksimale të goditjes, e cila mundësohet përmes një radari që vendoset pas portës dhe shfaq parametrat e forcës goditëse të çdo futbollisti që i nënshtrohet këtij testi. Midis këtyre aparaturave, me anë të së cilave trajneri dinamovit zhvilloi këtë seancë stërvitore, nuk mund të mungonte edhe mikroçipi i quajtur micoach, i cili vendoset në këpucën e futbollistit dhe pas kryerjes së ushtrimeve hiqet dhe vendoset në kompjuter për të parë të vëzhguar parametrat fizik, rendimentin e dhënë nga përdoruesi në fushë, kontaktet e tij me topin etj. Në përfundim të këtyre testeve, lojtarët që janë në fazë seleksionimi kanë zhvilluar një ndeshje brenda grupit, ku edhe kësaj faze të seancës stërvitore i është kushtuar vëmendje nga trajneri Zhupa. Pra i gjithë ky intensitet i lartë pune, aparaturat e fundit teknologjike si edhe përkushtimi nga ana e stafit teknik të Dinamos, tregojnë edhe një herë seriozitetin maksimal, me të cilin është duke u përgatitur ky ekip për fillimin e sezonit të ri. Duhet përmendur se kjo mënyrë stërvitjeje, me këto teste që zhvillohen nëpërmjet aparaturave të sofistikuara, është unike, pasi deri tani nuk ka gjetur përdorim në asnjë seancë stërvitore të ekipeve që marrin pjesë në Superligë, madje as në ato skuadra që në këto momente janë elita e futbollit shqiptar. Kjo të lë të kuptosh se te Dinamo, po vihet në zbatim fryma Europiane, për të cilën ka shumë nevojë futbolli.

Stafi mjekësor Me fillimin e stërvitjes dinamovite në ambientet e ish-kompleksit Dinamo ishin prezentë edhe mjekët e ekipit, Alfred Lulo dhe Jorlen Lulo, të cilët ishin në gatishmëri për çdo të papritur ose shqetësim që mund të shfaqej te lojtarët, për shkak edhe të temperaturave të larta. Futbollistët që janë pjesë e kontingjentit të bluve nën vëzhgimin e mjekëve të ekipit do ti nënshtrohen edhe kontrolleve mjekësore të hollësishme, duke filluar nga analizat e gjakut komplet me formulë, ecokardiogramë (ECG) dhe ECG e fortit, ose ndryshe testit të biçikletës. Të gjitha këto sipas mjekëve specialistë pranë klubit Dinamo kryhen, në mënyrë që të gjithë lojtarët të jenë nën një vëzhgim të vazhdueshëm, për të mos pasur probleme shëndetësore, sidomos ato të zemrës, të cilat jo pak herë kanë qenë prezent në botën e futbollit dhe në disa raste kanë rezultuar fatale. Gjithashtu do kryen edhe testet antidoping, për të hequr dyshimet e përdorimit të substancave të ndaluara nga futbollistët. Pra edhe nga ana e stafit mjekësor të Dinamos po bëhet një punë me përkushtim dhe rigorozitet të lartë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›