Nga ANDI TANKU
Ekipi i Dinamos vazhdon testimet për të përzgjedhur lojtarët që do të aktivizohen në radhët e bluve për edicionin e ardhshëm që nis në fund të gushtit. Paraditen e sotme pjesa më e madhe e ekipit nuk ka është paraqitur në seancën stërvitore, kjo për shkak se trajneri Dritan Mehmeti që po stërvit skuadrën, ka menduar ti lërë pushim dinamovitët. Megjithatë, vetë trajneri ka qenë i pranishëm në këtë seancë,së bashku me disa lojtarë të rinj,që kanë ardhur për tu provuar në radhët e ekipit të kryeqytetit. Në bazë të këtyre seleksionimeve dhe përzgjedhjes së futbollistëve të rinj që mund të afrohen, ekipi i Dinamos,vazhdon të zhvillojë edhe takime të tjera miqësore, ku kujtojmë këtu, takimin e luajtur kundër skuadrës së sapo ngjitur në kategorinë e Dytë, asaj së Vorës. Ekipi i prefekturës, u kishte kërkuar para disa ditësh dinamovitëve të zhvillonin një takim, për të përuruar edhe stadiumin e ri që ky ekip ka ndërtuar së fundmi. Ftesës së ekipit të Vorës, dinamovitët i janë përgjigjur pozitivisht, duke e kthyer në një ditë festive, atë të përurimit të stadiumit, për vetë faktin se ekipi i prefekturës arriti të fitojë takimin ndaj bluve të kryeqytetit. Në fund të takimit, në të cilin morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të bashkisë së Vorës, skuadra mike ngriti dhe një kupë simbolike, duke u falur një kënaqësi të madhe të pranishmëve në shkallët e stadiumit.
Besmir Arifaj të hënën në stërvitje me Tërbunin
Dje, skuadra e Tërbunit ka mbyllur javën e parë të përgatitores, e cila kryesisht është zhvilluar nga Kodrat e Liqenit Artificial, nën drejtimin e trajnerit Edmond Dalipi dhe ndihmësit të tij, Vaso Selenica. Në javën e parë, kanë qenë jo pak, por 35 futbollistë nën urdhrat e trajnerit Dalipi, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur për tu provuar nga skuadra të kategorisë së dytë, si dhe të huaj. Ditën e hënë skuadra pukjane do të zhvendoset në kompleksin Dinamo, në bazë të kontratës që presidenti Petrit Syla ka nënshkruar edhe me Drejtorinë e Agjencisë së Sporteve. Stërvitja do të startojë të hënën në orën 9:00 të mëngjesit, ndërkohë që pritet që në seancën e së hënës nën urdhrat e dyshes, Dalipi-Selenica, të vihen edhe disa nga lojtarët e sezonit të shkuar. Pritet që të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës pukjane edhe mesfushori me eksperiencë, Besmir Arifaj. Ky i fundit duket se është një nga blerjet e bujshme, që ka bërë presidenti i pukjanëve, Petrit Syla, i cili me shumë mundësi do të bëj edhe ndonjë surprizë, pasi të hënën do të ketë edhe ndonjë afrim të ri me ndonjë lojtar të njohur të Kategorisë së Pare, me të cilët vetë Syla, ka qenë në bisedime gjatë këtyre ditëve.