E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Xhanin të parë, FSHF mund ta përjashtojë Partizanin

Nëse të kuqtë e kryeqytetit nuk zgjedhin çështjen e administrimit, federata mund të marrë masë ekstreme, pasi shoqëria aktuale është mbytur nga konfliktet

Nga ILIR CARA Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku me 27 qershor u vendos që logoja e klubit ti mbetej shoqërisë tregtare të administruar nga Albert Xhani, Ministria e Mbrojtjes doli me një deklaratë, ku vendosi që të mos e përfaqësojë Partizanin në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, ministria ka vendosur të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, me shpresën që ky organ do tia njohë të drejtën e pronës mbi stemën e Partizanit. Por kjo lëvizje mund të rezultojë fatale për Partizanin, pasi nga burime pranë drejtuesve të  Federatës Shqiptare të Futbollit, mësohet se nëse Partizani do të vijojë nën administrimin e Albert Xhanit, që ka tagrin e administratorit të shoqërisë tregtare Partizani sh.a, skuadra mund të përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2012-2013. Për FSHF-në shoqëria në fjalë ka probleme të shumta si në aspektin financiar, por edhe ligjor, sepse për momentin kjo shoqëria e administruar nga Albert Xhani ka disa gjyqe të hapura, procese që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes ortakëve, por edhe shoqërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe së fundi ka një vendim të Përmbarimit për sekuestrim të 60% të aksioneve, që Albert Xhani ka në shoqëri. Pra për FSHF-në situata aktuale te Partizani është po ajo, që ishte para një viti. Dhe duke dituar atë situatë, e cila është trashëguar prej vitesh, me 4 shtator të 2011-ës u mblodh Komiteti Ekzekutiv i federatës, ku me një vendim të formës së prerë i hoqën Albert Xhanit të drejtën e përfaqësimit, dhe u ngarkua Ministria e Mbrojtjes për ta bërë këtë gjë. Ndonëse ministria ka deklaruar tërheqjen, në federatë Partizani rezulton i licencuar për sezonin e ri nën administrimin e dikasterit të mbrojtjes. Por ndryshimi i pronësisë mund të rezultojë fatal, pasi nga burime pranë zyrtarëve të federatës, mësohet se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që në aktivitet të marrë pjesë Partizani i administruar nga Albert Xhani. Kusht  që Partizani të marrë pjesë në Kategorinë e Parë në sezonin e ri, është që të gjejë një pronar të saktë dhe që jep siguri, pasi nuk duan që të përsëritet sezoni 2010-2011, ku të kuqtë nuk arritën të përfaqësoheshin në aktivitet deri në javën e fundit. Paro Laçi Ortaku i Albert Xhanit në shoqërinë aksionare, Paro Laçi, që zotëron 40% të aksioneve, mësohet se ka përpiluar një plan shpëtimi afatshkurtër, plan i cili siguron mbarëvajtjen e Partizanit në aktivitet. Për të fituar këtë besim, aksionari Laçi ka pohuar se është i gatshëm të ngrijë në bankë fondin financiar që i duhet ekipit për të përballuar aktivitetin. Madje Laçi ka pohuar se do ti bëjë një relacion të detajuar edhe federatës, ku jep kushtet dhe sigurinë e tij për një Partizan pa probleme në Kategorinë e Parë. Aksionari Laçi ka pohuar se është i gatshëm të ofrojë edhe bashkim dhe bashkëpunim me ortakun e tij Xhani, që zotëron 40 % të aksioneve, vetëm e vetëm që Partizani të ngrihet.

Sekretari Prodani takim me ministrin Imami

Federata po i luan të gjitha gurët, pasi përpara se të marrë një vendim rreth së ardhmes së Partiznait kërkon që gjithçka të jetë e qartë. Mësohet se para disa ditësh sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka zhvilluar një takim pune me Ministrin e mbrojtjes, Arben Imamim, ku padyshim theksi i bisedës ka pasur të bëjë me Partizanin. Dy zyrtarët kanë diskutuar në lidhje me vendimin e gjykatës së Apelit. Në përfundim të bisedës është arritur në përfundimin se Ministria e Mbrojtjes është nxitur me deklaratën e saj për mos përfaqësimin e Partizanit në Kategorinë e Parë. Xhani e merr me sportivitet sekuestrimin e aksioneve Kryelajmi i djeshëm në mediat sportive ishte sekuestrimi i aksioneve që zotëron Albert Xhani tek Partizani. Ky vendim është marrë për shkak të borxheve të pakthyera ndaj një pale të tretë, e cila e ka fituar çështjen në gjykatë. Madje është ngarkuar edhe një shoqëri private përmbarimi, e cila po merret me sekuestron e aksioneve të Albert Xhanit. Nëse Xhani nuk e shlyen shpejt borxhin, atëherë shoqëria private e përmbarimit ZIG do të hap një ankand ku do të shesë aksionet e Xhanit që ka te Partizani. Por ky lajm nuk ka mbetur pa u komentuar nga Albert Xhani, i cili me anë të një sms-je të nisur tek Sporti shqiptar tregon se ai e ka marrë me sportivitet këtë situatë. Madje, Xhani kërkon që ta përdorë në aspektin pozitiv lajmin në fjalë, pasi sipas tij, në të gjitha bankat Partizani ka vetëm 6 milion lekë borxhe. Dhe sipas Xhanit, në këtë kohë krize të thellë të keshë 3 mijë euro kredi të keqe, është tregues pozitiv. Ja sms- ja e dërguar dje nga Albert Xhani tek Sporti shqiptar, mesazh i cili ka të bëjë me lajmin e sekuestrimit të aksioneve të tija tek Partizani: Falënderoj shtypin që nxori në dritë fuqinë financiare të Xhanit dhe Partizanit. Në këtë kohë krise të thellë financiare të kesh 3 mijë euro kredi të keqe, është shumë shumë shumë mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›