E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tushe: Përgjegjës jemi të gjithë, duke nisur nga unë

Presidenti i Lushnjës, Fatos Tushe, pohon se ka kërkesa vetëm nga Byzhyti e Gjoni për largim, ndërsa për sezonin e ri garanton të njëjtët parametra financiarë   Nga Julian Kasapi Shumë zhurmë ka pasur ditët e fundit te Lushnja. Akuza dhe reagime. Jashtë listës së trajnerit Sajmir Malko për sezonin e ri mbetën 3 nga titullarët e skuadrës verdhejeshile dhe njëri prej tyre, Alban Byzhyti, e akuzoi hapur numrin 1 të stolit se po e shkatërron skuadrën. Por situatën e merr në dorë kryebashkiaku Fatos Tushe, njëkohësisht edhe president i Lushnjës. I pyetur pse nuk u realizua objektivi sezonin e fundit, ai përgjigjet: Mua nuk më vjen mirë, kur lexoj në media se ka pasur një grup, që ka ndikuar negativisht në drejtim të objektivit. Ndihem keq, sinqerisht. Nuk mendoj se ka patur grupe në atë skuadër, që them se ka qenë e konsoliduar. Arsyet pse nuk e arritëm objektivin janë disa dhe duhen diskutuar, duke marrë në analizë gjithsecilin, por jo në gjykimin e trukimeve apo të shitjeve, të problemeve personale të skuadrës me presidentin apo të skuadrës me trajnrein. Nuk më vjen mirë, që në media të anashkalohet përgjegjësia. Pergjegjësia për mosrealizimin e objektivit fillon nga mua si president, vazhdon me stafin drejtues, atë teknik, lojtarët dhe deri te punëtori më i thjeshtë për moskrijimin e kushteve normale për stërvitje. Largimet Më tej, në lidhje me çështjen e lojtarëve të larguar, presidenti Tushe sqaron: Nuk e di nga vinë informacionet për ato që shkruhet në shtyp, por di që është një kërkesë e bërë nga Byzhyti, që e kam firmosur, si dhe një kërkesë e Gjonit. Të tjera kërkesa nuk kam mbi tavolinë. Lojtarët që përmenda kanë shprehur dëshirën të largohen nga skuadra. Sezoni ri Presidenti i Lushnjës ka treguar në fund edhe mënyrën si do të financohet skuadra e sezonit të ardhshëm: Jam duke parë buxhetin për klubin e futbollit dhe do ta fus në diskutim më 25 korrik, në Këshillin Bashkiak. Por, ju siguroj se do të jenë pak a shumë të njëjtët parametra. Pra, faza përgatitore do të bëhet ashtu si edhe vitin e kaluar. Kam menduar që të ul shpërblimet. Duke qenë se shpërblimet ishin në nivele të larta sezonin që shkoi, aq sa edhe skuadra të Superligës i kishin zili, kam menduar që ti ul shifrat. Futbollistët merrnin 25 mijë lekë për fitoret jashtë dhe 15 mijë lekë për fitoret brenda, ndërsa sezonin e ri mendoj që shpërblimet të jenë në nivelin 15 me 10.   Molla: Vonesat mund të kenë kosto për Naftëtarin   Pogradecari e quan veten pjesë të skuadrës kuçovare, por pranon se mund ta rishikojë pozicionin e tij, nëse nuk nisin përgatitjet   Nga Arben  Çepani   Futbollistët që përfaqësuan Naftëtarin sezonin e kaluar pohojnë se stërvitja duhej të kishte filluar. Ata duken disi të shqetësuar nga vonesa në lidhje me fillimin e procesit stërvitor, që mund të ketë efekte negative në kampionat. Për fat të mirë, për momentin nuk ka ndonjë largim nga kontigjenti i kampionatit të kaluar. Pothuajse të gjithë futbollistët kanë shprehur dëshirën për të kontribuuar për këtë skuadër në Kategorinë e Parë, madje edhe ata nga qytetet e tjera. Të gjithë kërkojnë që organizimi të bëhet sa më shpejt, për të mos pasur pasoja. Fabian Molla, golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, pohon se e konsideron veten futbollist të Naftëtarit, por pranon se, nëse do të ketë vonesa në organizim, do ta rishikojë pozicionin e tij. Mesfushori i krahut të majtë bën të ditur se për të janë interesuar edhe skuadra të Superligës, por futbollisti pogradecar dëshiron ta vazhdojë karrierën te Naftëtari. “Për momentin, e ndiej veten pjesë të Naftëtarit. Me këtë skuadër kam kujtime të bukura nga kampionati i kaluar, në fund të të cilit u ngjitëm në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në planin personal arrita të shpallem golashënuesi më i mirë. Dëshira është që të vazhdoj me Naftëtarin, pavarësisht ofertave që kam edhe nga Superliga. Mendoj se stërvitja dhe organizimi i skuadrës duhet të nisin sa më parë. Jemi të vonuar në drejtim të organizimit. Nuk duhet të presim kaq gjatë, prandaj uroj të bëhet sa më parë grumbullimi i skuadrës, pasi Kategoria e Parë është shumë e vështirë. Jemi ngjitur me vështirësi dhe po aq e vështirë do të jetë mbijetesa. Duhet të fillojmë sa më shpejt përgatitjet, pasi vonesa do të ndikojë gjatë ecurisë në kampionat”, – ka thënë mes të tjerash Molla.  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›