E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamon e kaplon kriza, përfiton Elbasani

Nga ANDI MATRAXHIU

Blutë nuk marrin pikë as në kupë, ndërsa verdheblutë marrin tri pikë dhe shpresojnë për kalimin e turit

Dinamo Elbasani 1-2

Dinamo dhe Elbasani janë përballur në sfidën e dytë të grupeve në Kupën e Shqipërisë. Blutë vijnë pas humbjes në Ballsh ndaj Bylisit, ndërkohë që Elbasani në shtëpi ndaj Vllaznisë. Të dyja skuadrat, edhe pse militojnë nëpër kategori të ndryshme, kanë menduar më shumë për kampionatin, duke pasur një grup të gërshetuar. Dinamo u ka dhënë mundësinë disa lojtarëve të rinj, ndërkohë që edhe Elbasani, krahas titullarëve si Gava, Kaçuli e të tjerë, ka rreshtuar disa lojtarë të rinj e të talentuar.

Miqtë kanë rezervuar një surprizë për Dinamon, pasi kanë arritur ta gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 38-të pas një 11-metërshi. Çapja, i aktivizuar në një rol të ri për të në qendër të mbrojtjes, në dyluftim me njërin nga sulmuesit verdheblu, ka shkaktuar penallti. Kryesori Pashaj merr vendimin ekstrem, duke nxjerrë me karton të kuq elbasanasin e bluve. Ekzekuton Gava, duke kaluar në avantazh Elbasanin.

Dinamo tërheq në qendër të mbrojtësin Peqinin, i cili aktivizohej në qendër të mesfushës përpara daljes nga loja të Çapjes. Në minutat në vazhdim Dinamo mundohet të gjejë rrugën e rrjetës, por pa pasur fuqinë e duhur. Në pjesën e dytë të dyja ekipet e nisin me zëvendësime, ndërkohë që janë sërish verdheblutë që gjejnë golin me anë të të riut Tafani, që dallon në lojën e tij të shpejtë në krahun e majtë.  I riu elbasanas, pas një pasimi të Bellajt, del i vetëm me Osmanin dhe se ka të vështirë për të dyfishuar rezultatin.

Lala mundohet të shkurtojë diferencën. Sulmuesi i bluve, i aktivizuar në pjesën e dytë, do të gjente golin pak çaste më vonë, duke shënuar i vetëm përballë portës mike. Zëvendësimet e Dinamos janë të kota, pasi disa nga futbollistët që kanë prentedime të ndryshme, veç Lalës që ka kohë që aktivizohet me Dinamon, ata kanë stonuar në ditën e djeshme duke mos u dhënë asnjë dorë shokëve të skuadrës.

Disa gjuajtje të kota drejt kuadratit, të cilat kanë përfunduar në pemët pas porte. Ndërkohë që ka dalluar Kapaj për shpirtin e lartë të garës. Lojtari i krahut të majtë është munduar, duke luftuar dhe shërbyer për shokët e skuadrës. Mes tentativave të shumta Elbasani ka arritur të marrë fitoren dhe tri pikët e para në këtë fazë grupesh.

 

Thanë pas ndeshjes:

Faruk Sejdini, trajner i Dinamos: U munduam të bëjmë më të mirën, por kupa nuk është objektivi ynë. Ndërkohë, u dhamë mundësi disa futbollistëve që skanë pasur hapësirat e duhura, por ata, siç e patë edhe ju, nuk e justifikuan aspak besimin tonë. Nuk di çfarë të them më tepër, por pas daljes me të kuq të lojtarit tonë, gjërat u vështirësuan për Dinamon. Tashmë duhet të mendojmë për sfidën e radhës në kampionat, të përqendrohemi aty për të arritur një rezultat pozitiv.

 

Ilirjan Filja, trajner i Elbasanit: Ne nuk kemi pretendime të mëdha në Kupën e Shqipërisë. Erdhëm këtu për një paraqitje dinjitoze dhe mendoj se e arritëm, duke fituar përballë Dinamos me meritë. Jam i kënaqur nga skuadra, sepse diskutoi një garë të mirë. Kjo fitore na jep moralin e duhur në kampionat për të arritur objektivat tona. Elementët e rinj që kemi aktivizuar, kanë përligjur besimin tonë. Por tani kërkohet vazhdimësia. Dinamo ishte me mungesa, por edhe ne nuk ishim me grupin e plotë. Gjithsesi, kupa është për tu respektuar deri në fund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›