Luftëtari kursen senatorët për Burrelin, synon shkëputjen
Gjirokastritët duan të ruajnë hapin në kampionat, ku kërkojnë të arrijnë të parët në finish
Ekipi gjirokastrit i ka lejuar vetes këtë sezon të ndjekë edhe Kupën e Shqipërisë, pasi ka një kontigjent të plotë futbollistësh. Luftëtari ka hyrë në fazën e grupeve dhe dje ka marrë fitoren e parë, por të gjithë pranojnë se përqendrimi është i gjithi në kampionat, konkretisht te ndeshja e radhës me Burrelin, që do të luhet në stadiumin Gjirokastra.
Edhe vetë trajneri Mustafa Hysi e ka pohuar pas ndeshjes se Luftëtari është i interesuar për kampionatin, ndaj dhe ai ka lënë pushim shumicën e titullarëve. Kështu, dje nuk luajtën Devolli, Mersini, Sinani, Boci dhe të tjerë, të cilët u stërvitën sipas programit të stafit teknik pas ndeshjes me Besën.
Burreli Të shtunën vjen Burreli në Gjirokastër dhe vendësit llogarisin vetëm 3 pikët. Deri tani ata nuk falur asnjë kundërshtar në këtë fushë, ndërkohë që kanë edhe një ndeshje të prapambetur me Elbasanin rival. Në këtë sens, Luftëtari, që kryeson aktualisht tabelën e renditjes, ka mundësinë për tu shkëputur dhe për ti krijuar vetes komoditetin ta administrojë kampionatin.
Për të siguruar fitoren e radhës në shtëpi, stafi teknik ka kursyer titullarët, me në krye liderin Devolli, ndërkohë që do të mungojë ndaj matjanëve sulmuesi Arlind Nora, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen me Butrintin, ku shënoi edhe dy gola. Sidoqoftë, gjirokastritët i kanë shanset për të shtuar edhe 3 pikë në tabelë këtë fundjavë dhe, në kombinim me rezultatet e rivalëve, mund të krijojë një distancë më të madhe me ndjekësit.
Gjobat Sipas një vendimi, që është bërë i ditur dje nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, klubi Luftëtari ka gjobitur dy futbollistë. I pari është Nertil Stoja, i cili është gjobitur me 100.000 lekë për mungesat që ka bërë në stërvitje. I dyti është Arlind Nora, që është gjobitur me 50.000 lekë për kartonin e kuq të marrë në ndeshjen me Butrintin, si dhe 5.000 lekë për vajtjen me vonesë në stërvitje. Janë masa të marra nga klubi gjirokastrit për forcimin e disiplinës në ekip.
