E Diel, 1 Nëntor 2026

Me një penallti në fund Partizani kalon Memaliajn

Nga ILIR CARA

Të kuqtë kanë marrë një tripikësh të vyer në ndeshjen e prapambetur dhe hyjnë në vallen e pretendentëve

Partizani Memaliaj  2-1

Partizani me vuajtje, por gjithsesi dje ka mposhtur 2-1 Memaliajn. Ky takim ishte i prapambetur, i vlefshëm për javën e pare, dhe u zhvillua në kompleksin Olimpik në Yrshek. Të pranishëm kanë qenë mbi 500 tifozë, që mbështesnin të dy kampet. Partizani, për të qenë në vallen e pretendentëve, e nisi takimin vetëm për të marrë fitoren. Ndaj memaljotëve, të kuqtë nuk kanë pasur në pankinë trajnerin Neptun Bajko, i cili tashmë konsiderohet i larguar.

Drejtimi i ekipit u bë nga dyshja Musta-Pilinxhi. Partizani e nisi vrullshëm takimin dhe golin e gjen që në minutën e nëntë. Lleshi nga e djathta vertikalizon një top në zonë dhe Alcani e ndjek aksion dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-0 për Partizanin. Me këtë start u mendua se fitorja e të kuqve do të jetë thjesht formalitet. Me kalimin e minutave kryeqytetasit vijonë presionin, por mbeten të paqartë në finalizim.

Në minutën e 27-të memaljotët ndërtojnë një kundërsulm të shpejtë, duke e gjetur të papërgatitur dhe të papozicionuar mbrojtjen dhe portierin e Partizanit dhe është Mitre që shënon, duke barazuar shifrat. Me këtë rezultat  mbyllet pjesa e parë, ndonëse në minutën e 35-të të kuqtë pretendojnë për një penallti. Pjesa e dytë vijon nën diktatin e kryeqytetasve, por Partizani tregon se grupi nuk i shkon për shtat uniformës që mban veshur.

Sulmi mbetet pika më e dobët e këtij ekipi, gjë të cilën e tregon vuajtja për të gjetur golin. Gjithsesi, dje të kuqtë kanë pasur fatin me vete, ku në minutën e 90-të Miska lëshon një top nga këndi, një lojtar i Partizanit rrëzohet në zonë dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Franc Gega merr përsipër dhe shënon golin tripikësh.

Gjatë gjithë takimit gjykimi ishte korrekt, por penalltia e minutës së fundit u kontestua nga memaliotët edhe pas ndeshjes. Miqtë pas ndeshjes thanë se do të reklamojnë direkt, por më pas u mjaftuan me një deklaratë të shkurtër: Në rast se nuk merren masa për këta gjyqtarë, është turp për futbollin shqiptar dhe për të deleguarin Plarent Kotherja, që u shkon nga pas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›