Kora: Naftëtari, shumë shpejt në majën e klasifikimit
Portieri i kuçovarëve, Albano Kora, beson se skuadra do të ecë me ritmin e fitoreve edhe në javët në vazhdim
Naftëtari mundi thellë skuadrën kryesuese të Bilisht Sportit, duke treguar se ka vërtet vlera dhe kualitete për të pretenduar kategorinë e parë. Ishte një nga ndeshjet më të mira të kuçovarëve, sidomos pjesa e dytë, kur futbollistët dhuruan spektakël nëpërmjet një ritmi të lartë lojë, që nuk u përballua nga bilishtarët. Këta të fundit befasuan në fillim me një gol të papritur, por kuçovarët reaguan fuqishëm, duke përmbysur gjithçka me një një goleadë.
Munguan për shkak kartonësh në atë ndeshje Kajo dhe Baku, por zëvendësuesit e tyre, Moses dhe Daci, e justifikuan besimin e trajnerit Fraholli. Për portierin e Naftëtarit, Albano Kora, që mbajti shiritin e kapitenit, ishte një fitore e merituar, që mund të shkonte edhe më thellë: I rëndësishëm është fakti që u rikthyem te fitorja.
Ndeshjen e kishim vlerësuar drejt, sepse vetëm fitorja në bënte punë. E dominuam lojën, krijuam shumë raste dhe në fund shënuam 5 gola, ndërkohë që u ndëshkuam nga një gabim i vetëm në mbrojtje. Na vjen keq që pas fitores me Bilisht Sportin nuk jemi në pozita kryesuese, por besojmë se shumë shpejt Naftëtari do të jetë në majë. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, ka thënë Kora, gardiani i portës kuçovare.
