Ambasadori Arvizu: Debati publik duhej të ishte mbajtur gjatë zgjedhjeve, tani jemi të gatshëm për një takim privat Berisha-Rama

Kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e sheh të vonuar propozimin e Edi Ramës për debat të hapur me kryeministrin Sali Berisha. Duke theksuar se nuk është koha dhe momenti për përballje televizive, Arvizu thekson se mbështet një takim privat mes dy liderëve politik, ndërsa përballja e drejtpërdrejtë t’i lihej periudhës zgjedhore. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, apelon për dialog politik mes dy partive të mëdha, në funksion të integrimit evropian të Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesave të qytetarëve shqiptarë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, komentoi dje ftesën e kryesocialistit Edi Rama, për debat të hapur me kryeministrin Berisha. Sipas Arvizu, ky është një hap i vonuar, pasi në një vend demokratik liderët s’duhet të kenë frikë nga përballja e drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Arvizu tha se midis të tjerash, debatet e drejtpërdrejta zhvillohen gjatë zgjedhjeve. “Nuk e kam dëgjuar propozimin e z. Rama, nuk kam hollësi specifike lidhur me këtë propozim, dhe mendoj se shumë njerëz e dinë që kisha pritur që të kishte më shumë debate gjatë zgjedhjeve në maj. Sa i përket diskutimeve mes drejtuesve të politikës është e natyrshme dhe ide e mirë. Por nëse të dy palët bien dakord, nuk shoh asgjë të gabuar me këtë. Kështu që qartazi është gjë e mirë kur palët bëjnë debate publike, kur dy palët politike kanë dialog”- u shpreh Arvizu. Megjithëse e sheh të pavend debatin mes Ramës dhe Berishës, për shkak se përballja e drejtpërdrejtë e elitave zhvillohet para dhe gjatë një procesi zgjedhor, Arvizu sheh të udhës të sugjerojë një takim privat mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama. “Ndoshta do të ishte më mirë të kishin një takim privat mes tyre dhe më pas një debat publik”- tha Arvizu, duke shtuar se është i gatshëm që këtë takim ta mirëpresë në shtëpinë e tij. “Jam i gatshëm që këtë takim ta bëjnë në shtëpinë time dhe i pranishëm të jetë edhe ambasadori Sequi. Nëse mund të ndihmojmë për të afruar palët, do ta bëjmë”- tha më tej ai. Për herë të parë, kryediplomati amerikan ka kundërshtuar hapur një nga 10 pikat e propozimit të kryesocialistit Rama, për të hetuar personat me imunitet parlamentar të përmendur në kabllogramet e Ëikileaks për korrupsion. Sipas ambasadorit kjo nuk është një pikë e mirë nga e cila mund të niset. “Përsa i përket planit me 10 pika unë e kam thënë edhe më parë që është vërtet një bazë për tu diskutuar. Për mua e SHBA-në ka disa prej pikave e si ajo e çështjes së Ëikileaks nuk është një pikë e mirë me të cilën niset por përsëri i përket dy palëve të vendosin”- ka shtuar më tej Arvizu. Ambasadori amerikan u kujdes të theksonte gjithashtu se në 20 vitet e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, shteti amerikan nuk ka mbajtur anën e asnjë pale politike. Në editorialin e tij të 8-të radhazi, kryesocialisti Rama, krejt ndryshe nga e kaluara e errët e tij lidhur me përballjen me kundërshtarët politikë, shtron në formën e një ftese, një debat të drejtpërdrejtë televiziv me kryeministrin Sali Berisha. Ende s’është e qartë nëse Rama e ka marrë seriozisht këtë punë, apo ka qenë një moment emocional ai, që e ka shtyrë të shkojë drejt “përballjes direkte” me rivalin Berisha. Mbetet për tu parë rezistenca e Ramës me editoriale dhe me llogje mediatike që furnizon çdo minutë blogun e tij personal.
Reagon dhe kreu i OSBE-së, Wollfarth: Dialog në parlament për reformën zgjedhore/Ftesa e Ramës për debat me Berishën ka sjellë edhe reagimin e kreut të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth. Ambasadori Ëollfarth tha se mbështet çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Sipas tij, ka ardhur koha që puna të spostohet në Parlament pasi aty është vendi që të punohet edhe për ndryshimet në reformën zgjedhore. “Dialogu është shumë i rëndësishëm, sidomos kur bëhet brenda parlamentit. Duhen diskutuar hapat e ardhshëm për reformat e kodin elektoral. Dialogu është i mirë në çdo forme, por nuk duhet vendosur si kusht. Është shumë e rëndësishme të bëhet ky debat e dialog. Por duhet të përfshijë dhe atë në Parlament mes partive. Është një hap që duhet hedhur sigurisht. Duhet të rinisë dialogu mes partive politike, dialog që duhet të zhvillohet në parlament dhe që duhet të përqendrohet tek reforma zgjedhore”- u shpreh ambasadori Wollfarth.
...