Dinosha: “Edhe Malit të Zi i intereson një rrugë kombi”
Flet për “Albania” ministri i pakicave kombëtare të Malit të Zi, Ferhat Dinosha
Pas rrugës së kombit që na lidh me Kosovën edhe shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë më shumë vëmendje nga Tirana zyrtare, edhe pse prej pak ditësh ata mund të lëvizin të lirë në Europë. Në një intervistë dhënë pak ditë më parë për gazetën “Albania”, Ministri i Pakicave në Republikën e Malit të Zi, shqiptari Ferhat Dinosha, është i mendimit se ndihma më së pari duhet të orientohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë me viset shqiptare jashtë kufijve të saj. Në këtë pjesë ai fut pa dyshim viset shqiptare në Malin e Zi, që sipas Dinoshës, kanë shumë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë së Tiranës. Ai vë theksin sidomos në marrëdhëniet e bashkëpunimit të ndërsjelltë tregtaro-ekonomik që duhet të jenë më të forta dhe të stabilizuara mes dy vendeve. Për këtë Dinosha ka përmendur sektorin e turizmit i cili është një tjetër pikë ku duhet të shtrihet bashkëpunimi, sidomos në zonën e Ulqinit por edhe në zona të tjera.
Zoti ministër, ju thoni që Tirana zyrtare ka qenë fare pak prezente në raportet diplomatike me Malin e Zi dhe me faktorin shqiptar këtu. A mund të na e shpjegoni më mirë këtë?
Pas pavarësisë së Kosovës, kauza tjetër e Tiranës zyrtare mendoj se duhet të jetë mbrojtja e interesave të shqiptarëve të Malit të Zi. Unë si ministër i Pakicave Kombëtare dhe njëkohësisht edhe kreu i Unionit Demokratik të Malit të Zi, kërkoj që politikëbërësit e shtetit amë të drejtojnë sytë nga pakicat jashtë kufirit. Shqiptarët kanë pasur kauza më të rëndësishme se çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi, por kur tani që dhe çështja e Kosovës ka marrë rrugën e mbarë, mendoj se shteti ynë amë, Shqipëria ka detyrë të sillet ashti siç sillen shtetet demokratike ndaj pakicave të veta jashtë kufijve të tyre administrativë. Rënia e regjimit komunist edhe këtu në Mal të Zi risolli në skenë një tjetër problem, atë të pronësisë ku Shqiptarët rrezikojnë të humbin të drejta e tyre. Kjo sipërfaqe sot ende figuron si e shtetit, por nesër mund të privatizohet dhe nuk kemi shqiptar të cilët do të kishin dokumente që mbulojnë pronësinë. Kështu që vështirë se do t’ia dalim që kjo pjesë e cila dihet se ka qenë shqiptare do të vazhdojë të jetë terren shqiptar, por jo edhe pronë private e shqiptarëve. Por përveç neglizhencës së nga hershme, përplasja e fortë politike e momentit në Tiranë, reflekton negativisht dhe në situatën e shqiptarëve të Malit të Zi.
Tani dy vjet pas pavarësisë së Malit të Zi, si është pozita e shqiptarëve këtu, duke u bazuar me standardet e të drejtave të tyre?
Shqiptarët janë një faktor i pakapërcyeshëm dhe definitivisht përbëjnë një shtyllë relevante të të gjitha fazave kyçe të shtetit të ri të Malit të Zi. Pavarësia ishte një zhvillim i rëndësishëm, që përbën stadin e parë vital edhe për shqiptarët, pasi është hequr varësia nga Beogradi, i cili ishte pengesa e madhe e plotësimit të të drejtave tona. Tani duhet një qasje tjetër dhe ne po punojmë në një kuadër të ndryshëm. Mali i Zi është vendi i parë ballkanik që ka një ministri për pakicat kombëtare, dikaster që ka rëndësi për të institucionalizuar kërkesat e minoriteteve. Megjithatë mund të themi se ende nuk ia kemi dalë për të implementuar të gjitha standardet. Më e rëndësishmi nga këto standarde është përfaqësimi proporcional i minoriteteve në institucionet dhe administratën e Republikës së Malit të Zi. Shqiptarët përbëjnë 7% të popullsisë së këtushme, ndërsa në institucionet republikane apo edhe organet e tjera të shtetit është përfaqësuar vetëm 2% e tyre. Ne kemi një ligj zgjedhor që përcakton se Shqiptarët duhet të kenë 5 deputetë në Parlamentin malazez, por ne kemi pasur një problem se një pjesë e votave të shqiptarëve shkojnë për partitë në pushtet në Mal të Zi, ndaj dhe kemi kërkuar që 5 parlamentarët t‘u përkasin subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi. Shpresojmë se do ta kalojmë sa më shpejt këtë problem. Por ne mund të themi hapur që në forcimin e pozitës sonë presim një ndihmë të madhe edhe nga Tirana zyrtare, e cila realisht nuk ka qenë shumë prezente për shqiptarët në Mal të Zi.
Para pak kohësh në Podgoricë ishte për vizitë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Cilat kanë qenë bisedimet që keni zhvilluar me të?
Ne kemi kontakte të vazhdueshme me autoritetet më të larta të Shqipërisë dhe këto kontakte ne do t‘i forcojmë edhe më shumë. Por mendoj se Tirana duhet të bëjë më shumë për shqiptarët e Malit të Zi. Kur them ndihmë, unë nuk nënkuptoj për një mbështetje direkte financiare, pasi ne nuk duhet t‘i hymë në hak buxhetit të Shqipërisë. Por ne mendojmë se ka rrugë për një bashkëpunim më intensiv në këtë aspekt. Një moment i rëndësishëm është lidhja e terrenit shqiptar me projektet e reja infrastrukturore, që janë bërë dhe do të përgatiten nga Shqipëria. Nisja e një rruge të re që lidh Plavën me Podgoricën, duke kaluar nëpër Shqipëri, nga Vermoshi, do ta kthejë këtë projekt infrastrukturor në një rrugë ndërshtetërore, që do të jetë një plus i madh jo vetëm për banorët e Plavës, por edhe për lidhjen me Kosovën. Një projekt tjetër do të ishte rruga që lidh Shëngjinin me Velipojën dhe më pas me Ulqinin, duke e forcuar më shumë aksin turistik të trevave shqiptare. Deri tani kemi një numër të konsiderueshëm turistësh nga Shqipëria, që preferojnë zonat turistike joshqiptare në Mal të Zi. Është një zgjedhje preferenciale e tyre, pasi ndoshta kapacitetet e Bidvas janë më të mëdha se Ulqini. Por ne mendojmë se zhvillimi i zonës së Ulqinit, duke sjellë këtu investime të mëdha me kapitale të huaja, do ta kthejë këtë zonë me një potencial ekonomik, ku mund të punësohen edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shkodrës, pasi Ulqini nuk ka një potencial të madh për punësim, kështu përfitimet janë të dyanshme.
23 Dhjetor 2009