Shpërblimi për festat, pensionistët: I mjaftueshëm vetëm për kafe
Shpërblimi që qeveria u akordoi këtë vit pensionistëve për festat e fundvitit është i mjaftueshëm vetëm për kafe. Kështu janë shprehur pensionistët që kanë tërhequr dje shpërblimin. Të pakënaqur nga shuma prej 2500 lekësh, ata shprehen se do ta përdorin atë për të pirë kafe apo për të bërë ndonjë dhuratë, pasi shpërblimi nuk mjafton për gjë tjetër. “E mora shpërblimin do ta përdor për dhurata për fëmijët. Prisnim më shumë se me zor e kemi pritur këtë demokraci dhe kemi luftuar për këtë ditë”,- pohon njëri prej pensionistëve. Krahasuar me një vit më parë, shpërblimi për pensionistët që është dhënë për festat e fundvitit u përgjysmua dhe për herë të parë. Ndërkohë që qeveria u justifikua me krizën ekonomike si argument për mungesën e fondeve. Një fakt ky i mohuar prej saj që prej fundit të vitit 2008. Ditën e djeshme, nisi shpërndarja e shpërblimit për festat e fundvit për 554 900 pensionistët në vend. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Sipas ISSH-së, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh, duke nisur deri më 31 dhjetor.
23 Dhjetor 2009