E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis vaksinimi ndaj A/H1N1, një vaksinë për dy fëmijë

MSH, përcakton mënyrën e kryerjes së vaksinimit të kategorive të përcaktuara
Personeli mjekësor është vaksinuar i pari ndaj virusit A/H1N1. në ambientet e spitalit infektiv në QSUT janë vaksinuar gjatë paradites mjekët, infermierët dhe pjesa tjetër e stafit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e prekur me gripin e derrit. Ndërkohë vaksina do të dërgohet edhe në qendrat shëndetësore ku mund të vaksinohen ndaj këtij virusi grupet e riskut si fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Për fëmijët e vegjël, specialistët kanë vendosur që një dozë vaksine të ndahet për 2 fëmijë. “Personeli shëndetësor i shërbimeve të infektivit i qendrave të terapisë intensive në të gjithë vendin, në të 12 spitalet rajonale dhe QSUT ka filluar vaksinimi i personelit mjekësor. Nesër vaksina do jetë disponibël edhe për qendrat shëndetësore të Tiranës dhe të rretheve të tjera gradualisht për tu vënë në dispozicion të grupeve të tjera të riskut siç janë, fëmijët e vegjël apo të sëmurët kronikë. Vaksina dhe vaksinimi është falas”, - shpjegoi mjeku infeksionit Pëllumb Pipero.
Virusi
Gjatë javëve të fundit, mbi 370 persona në Shqipëri janë prekur nga virusi A/H1N1, i njohur ndryshe si virusi i gripit të derrit, ndërkohë që gjashtë të tjerë kanë gjetur vdekjen prej tij, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë. Vaksina e sapoardhur e gripit të derrit është shpërndarë në të gjitha poliklinikat gjatë dy ditëve, ku nisi dhe faza e parë e vaksinimit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se tashmë çdo gjë është nën kontroll dhe se do të vazhdojë vaksinimi për personelin shëndetësor. Njëkohësisht, Instituti i Shëndetit Publik i bën apel qytetarëve që janë caktuar në listën e personave më të rriskuar nga gripi i derrit ta aplikojnë vaksinën e re dhe të mos kenë frikë për sigurinë e saj. Drejtori i ISHP, Alban Ylli ka garantuar popullatën se 10 mijë dozat e vaksinës janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme.
Faza
Sipas ISHP-së, pas mbylljes së fazës së parë të vaksinimit do të procedohet me grupet e tjera të riskut ku është përllogaritur të jenë rreth 210 mijë persona të tjerë. Porosia e blerjes së dozave për ta është mbyllur dhe sasitë e tjera të vaksinës pritet të vijnë pas Vitit të Ri. Autoritetet e shëndetësisë thonë se vaksina nuk do të jetë me detyrim. MSH-ja ka përjashtuar nga kryerja e vaksinës disa kategori qytetarësh. Sipas specialistëve personat që vuajnë nga alergjitë dhe fëmijët që nuk kanë mbushur ende 1 vjeç nuk duhet të kryejnë vaksinimin kundër gripit të derrit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli bëri të ditur se vaksina nuk përbën rrezik për popullatën pavarësisht se disa kategori do të përjashtohen nga kryerja e saj. Ndërkohë që bëhet e ditur se vaksina është e testuar nga kompania Hungareze dhe nuk përbën rrezik edhe pse ka efekte anësore, të cilat shfaqen brenda 24 orëve nga kryerja e saj. “Jemi duke bërë ftesë qytetarëve përmes medias të aplikojnë vaksinën pasi ajo është testuar me sukses dhe nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin e popullatës. E theksojmë se në vaksinim do të përfshihen fëmijët mbi 1 vjeç, të sëmurët kronikë dhe mjekët që janë direkt në kontakt me gripin e derrit. Përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe ata që tashmë janë të prekur nga gripi”, - u shpreh Ylli. Vaksina nuk do të aplikohet tek personat që kanë alergji nga veza, ndërkohë që efektet në momentin e injektimit janë afatshkurta si ato të vaksinave të tjera.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›