Shpërblimet për mjekët, QSUT: Mjekët nuk përfitojnë pagë shtesë nga drejtoria
Emanuela Sako
Bluzat e bardha nuk do të marrin pagë shtesë nga Drejtoria e QSUT-së, si masë shpërblimi për festat e fundvitit. Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se të ardhurat e kësaj drejtorie janë të ulëta në krahasim me shpërblimet e bëra gjatë vitit dhe si rezultat nuk ka një fond për shpërndarjen e tyre në formë shpërblimi. Këtë vit bluzat e bardha dhe administrata e QSUT-së do të “kënaqen” vetëm me shpërblimin e akorduar nga qeveria. Ndryshe nga viti i kaluar që punonjësit më të mirë, dhe ata me tituj shkencorë morën nga një pagë shpërblim. Ndërkohë që buxheti i akorduar nga qeveria ka nisur të shpërndahet për të gjithë punonjësit e nivelit të shëndetësisë.
Çështja
Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se personeli mjekësor priste që këtë vit të shpërblehej, ashtu si vitin e kaluar. Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT-së nuk ka asnjë sinjal pozitiv, ndërsa ditët e festave po afrojnë. Gjatë vitit të kaluar ministria e Shëndetësisë, lidhur me këtë çështje, deklaroi se institucionet shëndetësore do të merrnin shpërblimin në masën 5 për qind të fondit të akorduar. Ndërkohë që shpërndarja u aplikua sipas punës së kryer nga mjekët, e cila ndahet në disa nivele. Vlerësimi i punonjësve bëhet nga drejtoritë përkatëse në institucione. Për të gjitha shkallët shpërblimet janë: Niveli 1, “Shumë mirë” një pagë mujore; Niveli 2, “Mirë” 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, “Kënaqshëm” 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim. Normalisht, vlerësimi kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë, por në raste të veçanta mund të zbatohen procedura të tjera. Për rastet e veçanta procedura vendoset nga bashkëpunimi i njësisë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit përkatës dhe Departamentit të Administratës Publike.
Rastet
Personeli mjekësor në QSUT dhe administrata, bëjnë të ditur se nuk është hera e parë që ata përballen me të tilla probleme dhe mbeten pa shpërblime. Ndërkohë ata e kujtojnë në formën e një “skandali”, ngjarjen e vitit 2006 me shpërblimet e fundvitit. Shpërblimi i fundvitit 2006 për të gjithë punonjësit e QSUT-së u kthye në një borxh 3-vjeçar, që paguhet me këste. Tre vjet më parë punonjësit e QSUT-së morën nga Drejtoria e këtij institucioni një pagë shtesë si shpërblim për festat e fundvitit, por që entuziazmi për këtë dhuratë gjatë festive nuk zgjati shumë. Por nga kontrollet e disa muajve më vonë, të kryera nga KLSH—ja, ky shpërblim u kthye në një borxh që punonjësit vazhduan ta shlyenin për dy vjet. KLSH-ja e cilësoi shpërndarjen e pagës shtesë si abuzim me fondet e Drejtorisë së QSUT-së dhe për këtë arsye gjithçka duhej të rikthehej. Duke u gjendur në këto kushte Drejtoria vendosi që të gjithë punonjësit të rikthenin paratë e marra. Mënyra e kthimit në vendin e vet të pagës shtesë u bë në mënyrë që të gjithëve iu mbajt nga paga 1 mijë lekë në muaj.
23 Dhjetor 2009