Shpërblimi për festat, Ministria e Arsimit: Gati shpërndarja për mësuesit dhe pedagogët
Sipas dikasterit të Arsimit, shpërblim do të marrin edhe mësuesit me kontratë. Rroga shtesë do të varet nga buxheti i institucioneve arsimore
Jonida Tashi
Gati shpërndarja e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit për mësuesit dhe pedagogët. Ministria e Arsimit bën të ditur se drejtorive dhe zyrave arsimore rajonale u janë dërguar fondet për të paguar edhe mësuesit me kontratë në të njëjtën masë sikurse mësuesit definitivë. Sipas sqarimit të bërë nga dikasteri i Arsimit, të gjithë mësuesit dhe pedagogët definitivë do të përfitojnë edhe shpërblimin e fundvitit njësoj si të gjithë punonjësit e sektorit publik. Ndërsa përsa i përket akuzave të bëra nga Partia Socialiste, se mësuesit nuk i kanë marrë rrogat, Ministria e Arsimit sqaron se asnjë mësues nuk ka mbetur pa u paguar për vitin 2009. Sipas kësaj Ministrie, pagat e të gjithë mësuesve dhe punonjësve të tjerë të sistemit arsimor për muajin dhjetor po paguhen brenda afateve ligjore të përcaktuara.
Shpërblimi
Mësuesit do ta marrin shpërblimin e akorduar nga qeveria para festave të fundvitit. Kështu deklarojnë burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, të cilat sqarojnë se
gjithçka është gati. Sipas të njëjtave burime, mësuesit do ta marrin shumë shpejt shpërblimin, brenda datës 24 dhjetor, sepse pas kësaj date mbyllen llogaritë bankare dhe nuk mund të kryhet dot asnjë veprim. Më tej burimet sqarojnë se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat për llogaritjen e shpërblimeve dhe pritet vetëm nisja e shpërndarjes, që do të nisë menjëherë pas kalimit të parave në llogaritë bankare. Kështu, gjatë tërheqjes së pagës mujore, arsimtarët do të përfitojnë shpërblimin e dhënë nga qeveria dhe atë që drejtori i shkollës u ka caktuar. Arsimtarët, që, për arsye nga më të ndryshmet, nuk janë vlerësuar pozitivisht për punën e bërë nga eprori i tyre do të mjaftohen vetëm me shpërblimin prej 10 mijë lekësh.
Rroga shtesë
Përveç 10 mijë lekëshit të akorduar nga qeveria për festat e fundvitit për të gjithë punonjësit e administratës, mësuesit do të përfitojnë edhe shpërblimin për mbarëvajtjen në punë. Këtë shpërblim, që nuk do të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore, do ta përfitojnë mësuesit që kanë realizuar programin vjetor të punës. Shpërblimi për rezultate të mira në punë do të jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil. Aktualisht, të gjitha drejtoritë arsimore në vend kanë përfunduar vlerësimin e punës së çdo mësuesi. Gjatë këtij viti, 44 mijë mësues në vend pritet të shpërblehen për vështirësinë e punës. Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit.
Fondet
Shpërdorimi i fondeve gjatë vitit shkollor pritet t’u rrezikojë mësuesve përfitimin e rrogës shtesë gjatë fundvitit. Kështu, nëse gjatë vitit shkollor shkollat kanë kryer shpërdorim fondesh, mësuesit nuk do ta marrin rrogën shtesë, por do të mjaftohen vetëm me 10 mijë lekëshin. Ky shpërblim jepet nga qeveria për të gjithë punonjësit buxhetorë me rastin e festave të fundvitit. Heqja e rrogës shtesë për mësuesit është një ndëshkim që do t’u bëhet vetëm shkollave që kanë abuzuar me fondet, pasi ato që janë treguar të kursyera do të marrin edhe shpërblimin për vlerësimin në punë. Ky shpërblim është sa 5 për qind e fondit që ka çdo shkollë. Për rrjedhojë, nëse shkollat kanë kryer shpenzime më të larta nga ato që janë parashikuar, pasojat do t’u duhet që t’i vuajnë mësuesit. Pavarësisht se puna e këtyre mësuesve gjatë vitit shkollor është vlerësuar pozitivisht, ata nuk do të mundin që ta marrin pagën shtesë, por do të përfitojnë vetëm shpërblimin prej 10 mijë lekësh, që ka miratuar Këshilli i Ministrave me rastin e fundvitit.
23 Dhjetor 2009