E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinosha: Rrugët, domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit

"Shqiptarët në Malin e Zi janë një faktor i pakapërcyeshëm kur flitet për proceset demokratike dhe definitivisht përbëjnë një shtyllë relevante të të gjitha fazave kyçe të shtetit të ri të Malit të Zi. Pavarësia ishte një zhvillim i rëndësishëm, që përbën stadin e parë vital edhe për shqiptarët, pasi është hequr varësia nga Beogradi, i cili ishte pengesa e madhe e plotësimit të të drejtave tona. Tani duhet një qasje tjetër dhe ne po punojmë në një kuadër të ndryshëm", deklaron ministri malazez, njëkohësisht kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Malin e Zi.     Sipas Dinoshës, Mali i Zi është vendi i parë ballkanik që ka një ministri për pakicat kombëtare, dikaster që ka rëndësi për të institucionalizuar kërkesat e minoriteteve. "Megjithatë, - tha ai-  mund të themi se ende nuk ia kemi dalë për të implementuar të gjitha standardet. Më e rëndësishmi nga këto standarde është përfaqësimi proporcional i minoriteteve në institucionet dhe administratën e Republikës së Malit të Zi.  Shqiptarët përbëjnë 7% të popullsisë së këtushme, ndërsa në institucionet republikane apo edhe organet e tjera të shtetit është përfaqësuar vetëm 2% e tyre".          "Ne kemi kontakte të vazhdueshme me autoritetet më të larta të Shqipërisë dhe këto kontakte ne do t‘i forcojmë edhe më shumë. Një moment i rëndësishëm është lidhja e terrenit shqiptar me projektet e reja infrastrukturore, që janë bërë dhe do të përgatiten nga Shqipëria. Nisja e një rruge të re që lidh Plavën me Podgoricën, duke kaluar nëpër Shqipëri, nga Vermoshi, do ta kthejë këtë projekt infrastrukturor në një rrugë ndërshtetërore, që do të jetë një plus i madh jo vetëm për banorët e Plavës, por edhe për lidhjen me Kosovën”, deklaron Dinosha.      Sipas tij, një projekt tjetër do të ishte rruga që lidh Shëngjinin me Velipojën dhe më pas me Ulqinin, duke e forcuar më shumë aksin turistik të trevave shqiptare. “Ne mendojmë se zhvillimi i zonës së Ulqinit, duke sjellë këtu investime të mëdha me kapitale të huaja, do ta kthejë këtë zonë me një potencial ekonomik, ku mund të punësohen edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shkodrës, kështu përfitimet janë të dyanshme", thekson ai.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›