E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonasit drejt Greqisë, Shkupi dyndet nga kosovarët

Shumë qytetarë maqedonas tani preferojnë Selanikun, qendrën e Greqisë veriore, si destinacion të ri për shoping. Ditët e fundit shumë qytetarë, sidomos nga rajonet rreth kufirit, nuk shkojnë më në Shkup për të blerë, por udhëtojnë drejt Selanikut që është rreth 100 kilometra nga Gjevgjelia. Ndërkohë, qytetarët nga Shkupi preferojnë që fundjavave të udhëtojnë në qytetin grek. “Gjatë fundjavës do të shkoj në Selanik për të blerë veshje për festat e fundvitit. Sigurisht që atje janë më cilësore, pasi ka standarde të ndryshme të tekstilit”, deklaron Arben Krasniqi, një qytetar nga Shkupi. Megjithatë, efekti i liberalizimit të vizave përderisa po boshatis Shkupin nga shkupjanët, kryeqendra ka mbetur interesante vetëm për kosovarët. “Ku të shkojmë për të blerë diçka cilësore përveç Shkupit dhe Prishtinës. Tirana është larg, kurse në Selanik nuk na lejojnë pa viza”, thotë Rezarta Gashi, qytetare nga Prishtina, e cila po blinte në dyqanet e Shkupit. Kosovarët janë të vetmit të cilët kanë vërshuar tregjet e Maqedonisë. Në vendkalimin kufitar të Bllacës, gjatë fundjavave ndodh që edhe rreth një orë të pritet në kufi, nga kolonat e veturave që hyjnë në Maqedoni. Butiqet në Shkup pohojnë se është shtuar numri i blerësve kosovarë dhe është zvogëluar i atyre nga vendi. “Çmimet nuk janë të shtrenjta, por blerësit e vendit janë të paktë. I presim fundjavat që të vijnë myshterinjtë nga Kosova”, thotë një shitëse në qendrën tregtare “Ramstore” në Shkup. Për të udhëtuar drejt Greqisë, qytetarët maqedonas mund të kalojnë pa viza, por duhet të plotësojnë një formular, në të cilin vulosin policët grek, pasi prej palës së tyre nuk njihet pasaporta e Maqedonisë me emrin e Kushtetutës së saj. /lajm/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›