Dioksina, alarm në tërë Europën
Alarmi i dioksinës po përhapet në mbarë Europën. Fillimisht frika e kontaminimit u kufizua në Gjermani, por më pas rezultoi se 136 mijë vezë të ndotura u dërguan në Holandë, e nga aty një pjesë janë dërguar në Britani.
Zyrtarët e shëndetësisë vazhdojnë të këmbëngulin se në çdo rast, sasia e dioksinës në vezë nuk është aq e madhe sa të përbëjë rrezik për njerëzit.
Të tilla pohime nuk i mjaftuan autoriteteve koreano-jugore, që vendosën të bllokojnë menjëherë importet e mishit të derrit, vezëve dhe shpendëve nga Gjermania.
Mbyllja e 4700 fermave në vend pas shqetësimeve për ndotjen nga dioksina, një numër ky 5 herë më i madh nga sa ishte menduar, ka shkaktuar zemërim mes fermerëve.
Edhe ata që nuk u prekën drejtpërdrejtë nga kjo iniciativë, mendojnë se situata e krijuar është në dëm të tyre dhe do të çojë në një ulje të çmimeve.
“Çmimet do të bien, kjo është e sigurtë dhe shenjat e para kanë filluar. Edhe sikur të na lejojnë të nisim sërish nga furnizimet, duke qenë se ushqimi nuk është aq i kontaminuar sa ç`u mendua në fillim, ne përsëri do të dalim me humbje për shkak të uljes së çmimeve. Po flas këtu për humbje që shkojnë në mijëra e mbase dhe dhjetra mijëra euro dhe kjo më irriton pamasë”, shprehet një fermer.
Kimikati i rrezikshëm i gjetur tek vezët është nënprodukt i biokarburanteve që duhet të përdorej për prodhimin e letrës e jo të ushqimit për pulat.
Skandali i dioksinës plasi të mërkurën kur u zbulua se disa ushqime që përdoren për derra dhe pula ishin ndotur në momentin e prodhimit të tyre. Burimi i kontaminimit ishte një uzinë në veri të Gjermanisë.