Dioksina në ushqim

"Të gjitha fermat e konfirmuara me prani dioksine, duhet të vrasin kafshët", ka thënë zëdhënësi i Komisionit Europian të Shëndetësisë. Ai ka shtuar se tashmë ka filluar eleminimi i mijëra pulave nga fermat. Ministri i Bujqësisë së Gjermanisë ka thënë se skandali do të ketë një sërë pasojash edhe në ligjin penal. Pak ditë më parë në Gjermani janë mbyllur 4 mijë e 700 ferma për shkak se kanë përdorur për kafshët ushqime të përziera me lëndë helmuese. Masat janë ndërmarrë paraprakisht për të evituar mundësinë e përhapjes në treg të prodhimeve nga këto ferma. Fillimisht paniku i dioksinës u përhap vetëm në Gjermani, por më vonë u zbulua se një sasi vezësh ishin eksportuar edhe në Hollandë, Britani dhe Itali.