Parregullsitë e 12 dhjetorit u përsëritën edhe në 9 janar
Proçesi i rivotimit në pesë komunat e Kosovës ne 9 janar 2011, është përcjellë në një masë nga parregullsitë, të cilat e kanë shoqëruar edhe proçesin zgjedhor të 12 dhjetorit 2010. Kjo ka qënë deklarata e Organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” lidhur me proçesin e rivotimit në komunat Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe në dy qendrat e votimeve në Malishevë e Lipjan.
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka nxjerrë përqindjen e votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në komunat që kanë qenë pjesë e proçesit të rivotimit: Skenderaj 57.97 %; Drenas 53.77%: Deçan 33.79 %; Lipjan 53.06 % si dhe Malishevë 36.30 %.
Ndërkaq, “Demokracia në Veprim” ka evidentuar disa shkelje të cilat përfshijnë aspektin e organizimit teknik. Janë evidentuar raste kur komisionerët nuk kanë përdorur fare llambat ultravjollcë. “Demokracia në Veprim” vlerëson se përkundër ndërrimit të komisionerëve nga ana e KQZ-së, nuk janë realizuar të priturat për shmangie të parregullsive.
Procesi zgjedhor është zhvilluar nën presion, ku janë evidentuar edhe disa raste dhe situata të kërcënimit ndaj vëzhguesve të “Demokracisë në Veprim”, madje edhe janë dëbuar me dhunë dy raste nga vendvotimi, gjatë proçesit të votimit dhe numërimit.
Gjatë procesit të rivotimit janë evidentuar 68 raste të votimeve të shumëfishta, dhe rreth 227 raste ku i njëjti person ka asistuar më shumë se një person.
Votimi familjar mbetet shkelja më e shpeshtë në proçeset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë personave në kutitë e votimit kanë qenë shumë të shpeshta. Janë evidentuar mbi 2344 raste të votimeve familjare.
Gjatë këtij proçesi janë paraqitur probleme tek mungesa e energjisë elektrike në 7 qendra të votimit.
Gjithashtu janë evidentuar edhe shumë raste të prezencës në vendvotime të personave të paautorizuar dhe asistencës së më shumë se një personi, madje edhe në rastet kur qytetarët nuk kanë kërkuar asistencë.
“Demokracia në Veprim” i bënë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprimet e duhura ndaj personave të përfshirë në parregullsi, në mënyrë që ata të përgjigjen për veprimet e tyre të kundraligjshme.
Proçesi i numërimit është përcjellë me disa parregullsi, si mospërputhja e numrit të nënshkrimeve dhe numrit të fletëvotimeve në kutitë e votimit.