E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diploma e Maturës, e vlefshme edhe jashtë vendit

Diploma e Maturës, që do të jepet për herë të parë këtë vit për maturantët, në rast se ata do të kalojnë me sukses katër provimet e Maturës, do të jetë e vlefshme edhe për jashtë vendit. Garancia është dhënë nga vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili në një takim me maturantët e kryeqytetit ka bërë të ditur se tashmë është bërë gati formati i Diplomës së Maturës, të cilin ai e ka cilësuar si “format i bukur”. Përpos këtij fakti, ajo që është më e rëndësishme për maturantët është vlera e këtij dokumenti. Për këtë çështje, ministri Tafaj është shprehur se Diploma e Maturës është një diplomë që pasqyron atë që në fakt maturantët realizojnë në provimet e Maturës dhe kjo tregon, sipas tij, që ju keni kryer provime kombëtare dhe jo vetëm të shkollës, gjë që është shumë e rëndësishme. “Unë mendoj se ky hap që hedhim ne së bashku këtë vit është një hap shumë i rëndësishëm, i cili e rrit prestigjin e gjimnazit shqiptar, duke ju krijuar mundësi juve të gjithëve që me këtë diplomë të transferoni lëndët dhe rezultatet tuaja shumë më thjesht në çdo vend të botës ku do të shkoni. Me një diplomë të tillë në shumë vende ju ndoshta do t’ju duhet të bëni vetëm testin e gjuhës dhe asnjë provim tjetër. Ne po punojmë, së pari, me vendet europiane që të njohin Maturën tonë plotësisht, çka do të thotë që gjimnazistët tanë kudo që shkojnë, përveç testit të gjuhës, nëse duhet, të mos japin asnjë provim tjetër”, - ka pohuar ministri i Arsimit, sipas të cilit ky është rrugëtimi për ta afruar gjimnazin shqiptar me gjimnazin europian, me standardin europian dhe atë internacional.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›