E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seksionet italo-shqiptare, aplikimi për në universitet

Maturantët e shkollave dygjuhëshe italo-shqiptare do të futen në garën e pranimeve në universitete me koeficiente dhe kredite lëndore konkurruese, krahasuar me ato të

gjimnazit. Ky fakt bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit, të cilat, nëpërmjet një broshure të përgatitur posaçërisht për maturantët e seksioneve dygjuhëshe e dykulturore sqarojnë se “Për të diplomuarit në seksionet dygjuhëshe e dykulturore, për të konkurruar në universitet shqiptare do të aplikohen koeficiente dhe kredite lëndore konkurruese, krahasuar me ato të gjimnazit”. Të njëjtëve maturantë, për t’u regjistruar në universitet italiane, do t’u kërkohet Diploma e Maturës Shtetërore e shoqëruar me deklaratën e vlefshmërisë italiane. Sipas MASH-it, nxënësit e seksioneve dygjuhëshe dhe dykulturore përjashtohen nga provimi i gjuhës italiane (Celi 3). Ndërkaq, nxënësit me rezultatet më të mira përfitojnë bursa studimi në Itali, nga qeveria italiane. MASH bën të ditur edhe një detaj të rëndësishëm për nxënësit që vijojnë ose do të ndjekin këto shkolla, pasi në të ardhmen ata do të pajisen me një diplomë ndërshtetërore, e njohur nga të dy shtetet. Përsa i përket provimeve të Maturës, për maturantët e seksioneve italo-shqiptare, ata do t’i nënshtrohen 5 testimeve që janë: Gjuhë e Letërsi shqipe (me shkrim); Gjuhë dhe Letërsi italiane (me shkrim dhe me gojë); Matematikë (me shkrim në italisht); Dy lëndë me zgjedhje nga lista e propozuar nga MASH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›