Pollo urdhër për ngritjen e shërbimit psikologjik në arsimin parauniversitar
Tiranë - Sistemit arsimor parauniversitar duke filluar nga ky vit mësimor do ti shtohet Shërbimi Psikologjik Shkollor (Sh.P.Sh.), i cili do të jetë pjesë e sistemit arsimor. Ky vendim është marrë sipas një urdhri të Ministrit të Arsimit Genc Pollo, i cili ka përcaktuar edhe hapat për zbatimin e këtij urdhri. Deri më sot, ky shërbim ka funksionuar në bazë të eksperimentimit. Qëllimi kryesor i Shërbimi Psikologjik Shkollor është promovimi i mirëqenies mendore dhe fizike të nxënësve si dhe lehtësimi i procesit të të nxënit. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky shërbim është i dobishëm për gjimnazistët, për ti ndihmuar ata në problemet e moshës, raportet në familje e shoqëri, vështirësitë në mësimdhënie e provime. Megjithatë, MASH-i ka sqaruar se shtrirja e këtij shërbimi do të bëhet në mënyrë graduale me plotësimin e kushteve (kabinetit të psikologut në shkollë) dhe sigurimit të specialistit me arsim përkatës (me diplomë universitare në degën e psikologjisë, ose me master në psikologji dhe pedagogji). Aktualisht në shkollat tona punojnë tona 144 punonjës të shërbimit psikologjik shkollor sipas të dhënave të muajit mars 2008. Urdhri i ri për Shërbimin Psikologjik Shkollor përcakton funksionimin e këtij shërbimi në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar duke futur këtu edhe kopshtet, gjë që nuk ka qenë më parë. Paga e psikologëve do të jetë e njëjtë me rrogat e mësuesve të sistemit të detyruar apo të mesëm. Ndërsa raporti i psikologut me numrin e nxënësve do të jetë 1 në 1500-1800 nxënës. Sipas udhëzimit të ri për Shërbimin Psikologjik Shkollor, në ndihmë të punës së psikologut shkollor do të ngrihet grupi mbështetës i nxënësit që përbëhet nga mësues me përvojë, psikologu i shkollës dhe drejtori i shkollës. Psikologu shkollor duhet të ketë një diplomë të shkollës së lartë. Gradualisht do të zëvendësohen të gjithë psikologët e punësuar me diplomë mësuesie dhe më vonë psikologët me diplomë në punë sociale. Një manual i shërbimit psikologjik do të përcaktojë më konkretisht detyrat dhe përgjegjësitë e psikologut shkollor dhe personelit tjetër të shkollës (drejtues, mësues, etj.) që së bashku do të sigurojnë funksionimin e këtij shërbimi.
J. Tashi
26 Prill 2008