Dhimitër S. Shuteriqi dhe Elbasani
Jeta e Dhimitër S. Shuteriqit vjen si një lumë ujëshumë që ushqehet nga burime të shumta: Elbasani, Korça, Pogradeci, Grenobla e Francës, ku ai qëndroi gjashtë vjet për të kryer studimet universitare, Tirana, Gramshi, Rubiku ku shkoi si shkrimtar për “njohjen e jetës” dhe prapë Tirana, qyteti ku jetoi e u formësua si shkrimtar dhe historian i letërsisë dhe i shkrimit shqip, qyteti ku u krijua dhe u botua pjesa më e rëndësishme e veprës së tij letrare dhe shkencore. Por Elbasanin ai e donte shumë. Kishte një nostalgji të madhe për të. Aty ishte si të thuash toka ku ai kishte parë dritën e jetës dhe kishte hedhur hapat e parë. Hapësira e atij qyteti mbase ruante diku në eter vetvetishmërinë e fjalëve të tij të para. Në atë truall ai kishte qeshur e kishte qarë. Kishte luajtur dhe kishte ëndërruar. Njihte çdo rrugë dhe çdo gur të tij. çdo shtëpi e kopsht. Shtrirja e qytetit në grykë të Shkumbinit, kopshtet me portokalle e limonë, ullishtat që nëpër muzgje duken si erashka vigane, të gjitha i krijonin atij një mister që nuk mund ta zbërtheje dot. Për çfarëdo që do të fliste, ai do ta çonte fjalën tek Elbasani, te qyteti i tij i lindjes. Elbasan për të do të thoshte kuptimësi.
“Elbasani kishte për mua një tërheqje të madhe, ashtu si ndodh me atë që bie në dashuri”.
Ai truall ishte mbretëria e fëmijërisë, parajsa e humbur. Nuk mund të përshkruhet ndjesia që e pushtonte kur përballej me atë qytet. Ishte një robërim, frymëzim i thellë, dashuri shpirtërore, vuajtje. Shuteriqi ngrinte dorën ose bastunin, thoshte diçka, hidhte vështrimin larg, pastaj përqendrohej në një pikë. Mbase në mendjen e tij ishte Elbasani tjetër, vendlindja abstrakte me rrugë dhe njerëz të imagjinatës, trualli universal, ai që kapërcen kohësinë konkrete dhe ndërtohet në kohën e përjetshme, në atë që nuk vdes kurrë.
I ndodhur gjeografikisht në qendër të Shqipërisë, Elbasani është një nga qytetet kryesore të vendit. Ai ngrihet në fushën që mban emrin Fusha e Elbasanit, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të Shkumbinit.
“Ne rrjedhim të dy bashkë me gurgullimë/[…]Binjak i zemrës sime, Shkumbin.»
Qyteti ka qenë dhe mbetet një pikë kalimi e rëndësishme që lidh Veriun me Jugun dhe Lindjen me Perëndimin. Shumë krahina kanë luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e tij, por çermenika e Golloborda, Kërraba e Shpati janë si të thuash gurra të vazhdueshme që e ushqejnë atë e i japin gjallëri. Përqark janë mali i Krastës, Bukaniku, Tomori, që duket si një mburojë e argjendtë prej dëborës, që i rri mbi krye dimër e verë.
“Në Tomor i çon Kostandin Kristoforidhi për gjah malësorët e tij. Shpiragu duket sikur vuan nga një dhimbje e pafund. Në një legjendë tregohet se dy malet janë grindur dhe Tomori e ka goditur Shpiragun fort, prandaj është gropa-gropa.”
Më në lindje ngrihet mali me emër të veçantë, mali i Joronishtit, që është edhe vend i shenjtë. Liqenet karstike të Dumresë duken si pasqyra të kthjellëta ku kridhen peizazhet si t’i ketë bërë peneli i një piktori. Me jetë e me punë, me luftëra të përgjakshme e me qëndresë, por edhe me net të gjata pushtimi, historia e Elbasanit në kohëra është dramatike. Aty ka kaluar dikur Via Egnatia, që merrte drejtimin për Ohër e që është një tregues historik i lidhjes së tij me botën. Me sipërfaqen e gjerë dhe me numrin e banorëve, Elbasani mund të radhitet si pas Tiranës. Marin Barleti e quan Elbasanin Urbs valmorum (Qytet i Valmëve). Qytetin dhe rrethinat e tij Pjetër Budi i cilëson Vise të Skënderbeut. Franz Babinger thoshte se emri Elbasan ka kuptimin Fortesë dominuese. Kurse Sami Frashëri kur flet për kryeqytetin e ardhshëm, thotë se ai duhet të jetë një nga qytetet që ndodhen në mes të Shqipërisë, duke pasur parasysh shtrirjen e atëhershme të tokave shqiptare që nga Prishtina, Shkupi, Preveza, Kosturi e Janina.
Data e saktë e themelimit të qytetit nuk dihet. Si emër ai datohet që në shekullin II të erës sonë kur përmendet me emrin Skampa (Scampini) nga Ptolemeu. Skampini ka qenë i banuar prej Parthinëve. Në afërsi të tij, Belshi, në shekullin VI p.e.s., ka qenë vendbanim paraqytetar që u kthye në një qytezë të fortifikuar. Edhe në Valësh, fshat në rrethinat e tij, janë zbuluar themelet e një kalaje ilire të shekujve IV-III p.e.s. Gërmimet arkeologjike të pasluftës, në Bradashesh, dy-tre kilometra para se të hysh në Elbasan, kanë zbuluar një termë romake dhe shumë objekte të tjera. Kisha janë zbuluar thuajse në të gjithë krahinën.
Në itineraret rrugore të shekujve III dhe IV, Elbasani shfaqet me emrin Hiscampis. Duke qenë në një pikë shumë përfituese, vendbanimi u shndërrua që herët në një qendër të rëndësishme qytetare ushtarake e peshkopale. Kalaja e Elbasanit është nga më të mëdhatë e Shqipërisë. Ajo datohet që në shekullin IV të erës sonë. Muret rrethuese, gjurmë e të cilëve janë vërtetuar në gjysmën e dytë të shekullit XX, kanë 3 hyrje madhështore dhe 26 kulla, të ndërtuara në shekullin III-IV, në kohën e lulëzimit të qytetit. Brenda në Kala dhe rreth e qark kanë banuar njerëz, të cilët merreshin kryesisht me tregtinë e leshit dhe të lëkurëve. Nga të dhënat historike është nxjerrë përfundimi se Skampini i shekullit V kishte një zhvillim në të gjitha fushat. Kohët e fundit në Bezistan është zbuluar një bazilikë e shekullit V, e cila nga vlerat është e veçantë në llojin e vet, sidomos me mozaikun dhe afreskun që mbahet si një nga më të rrallët në Europë.
Elbasani mbeti pikë e rëndësishme në kryqëzimin e rrugëve nga Shkodra e Durrësi për në Berat dhe Ohër edhe më vonë. Më 519 dëshmohet si qytet, qendër peshkopale me katedrale e bazilikë. Me dyndjet barbare të shekullit VI dhe VII dhe të migrimit sllavo-bullgar, rruga Egnatia pushoi së qeni rrugë kryesore.
Gjatë Mesjetës qyteti ishte në zotërimet e familjes së madhe feudale të Aranitëve, që mbahet si dera më e lashtë shqiptare. Principata ishte e madhe që nga viset e Dibrës së Epërme, në çermenikë, Mokër, Bërzeshtë, Polis, Shpat,Vërçë, Dumre, Lushnjë, Elbasan e Kavajë. Shuteriqi ka bërë studime të hollësishme dhe është marrë shumë me Aranitët. Ka kërkuar në shumë biblioteka dhe arkiva, si në Barcelonë, Paris, Vjenë, Bukuresht, Sofje, Venedik e Moskë. Vetë, me korrespondencë apo me porosi dorazi, ai ka gjetur mjaft materiale e dokumente burimore për historinë e këtij fisi të madh. Për Aranitët, Shuteriqi ka shkruar një vepër të plotë, për të cilën mblodhi material gati tridhjetë vjet. Që më 1957 ai botoi tregimin “Kënga e Sprasme e Gjorg Golemit”, që e merr subjektin nga ngjarja e vitit 1467, kur Sopoti, kryeqendra e Aranitëve, u shkretua nga pushtuesit osmanë. Në dosjet e tij ruhet fotokopja e Traktatit të Aragonës që lidhi Aranitët me Alfonsin I më 1453 në Gaeta. Libri përshkruan shekullin XIV, kohën e artë të principatës kur Gjergj Aranit Komneni ishte zot i Shpatit e i çermenikës dhe selinë e kishte në Sopot dhe sigurisht edhe rënien e saj. Ai e fillon me dy beteja të mëdha kur Gjergj Araniti i dërrmoi turqit më 1432 në Bushek dhe më 1436 në grykën e Labërisë. Legjenda për Aranitët është e gjallë edhe sot në krahinat e thella të Elbasanit. Ajo tregon se Araniti u thye me tradhti, ngaqë i dolën të pabesë tre shpatarakë. Midis tyre ishte edhe Bozi. Njërin nga pasardhësit e Bozit, Shuteriqi e ka njohur gjatë luftës. Ai s’martohej se donte ta shuante bashkë me gjakun edhe emrin e tradhtisë dhe thoshte shpesh: “Do ta shuaj vetë namin e Bozit të mallkuar!”. Shuteriqi pasqyronte në shpirtin e tij jetën e trazuar, peizazhet dhe ngjyrat e forta të Elbasanit, tingujt e gëzuar, melankolinë dhe madhështinë. Ato ishin si një thirrje dhembshurie. Heroizmi i rrallë i qëndresës së popullsisë së asaj zone është ruajtur deri në ditët tona me tregime trimërie. I tillë është tregimi i Shuteriqit për kapedanin e madh Petrosh nga Shpati, trimin e çartur të cilin, turqit e kapën të gjallë dhe e çuan para Sulltanit që të gjunjëzohej e nuk u gjunjëzua, por pranoi t’i mbushej trupi me heshtat e vdekjes.
Emrin Elbasan (El-Basan) qyteti e mori më 1466, kur sulltan Mehmeti II Fatih pësoi disfatë në rrethimin e dytë të Krujës. Duke u kthyer ai filloi rindërtimin e kalasë së vjetër të qytetit. Në shekullin XVI qyteti i zgjeroi lidhjet me zonat e tjera dhe zhvilloi zejtarinë dhe tregtinë, duke u shndërruar në qendër sanxhaku për perandorinë. Sidoqoftë, në zonat e thella ruhej feja ortodokse. E kësaj kohe është edhe kisha e famshme e Shelcanit, e veshur e tëra me pikturë biblike nga Onufri. Disa nga veprat e tij pikturale më të rëndësishme ruhen edhe në kishën mesjetare të Valëshit (Shën Vlashit). Ai gjithashtu pikturoi në disa kisha të tjera në Shpat, në Berat, në Greqi e Maqedoni. Onufri i Neokastrës (i Elbasanit), ashtu si e quan ai veten, u dallua në pikturën murore dhe të ikonës, duke i shtuar temës fetare edhe elementin realist dhe etnografik. Shfaqja e Onufrit në Elbasan është një dukuri kulturore që lidhet me forcimin e vetëdijes kombëtare. Afresket dhe ikonat me përmasa të mëdha si Hyrja e Marisë në tempull, Vajtojcat, Skena e Kryqëzimit, Ngjallja e Lazarit dhe ato me figura të vogla në miniaturë, shquhen për një analizë të hollë të botës së brendshme, që e vë në dukje kontrasti i fortë i ngjyrave dhe e kuqja e paimitueshme, e cila do të merrte më vonë emrin e Kuqja e Onufrit. Në ndonjë pikturë Onufri përdor shaminë që lidhin në ballë burrat. Nga studimet e Shuteriqit del se Frang Bardhi dëshmon që krerët shqiptarë dikur e lidhnin kokën me një rubë (shami). Ky fakt hedh dritë për tezën se Onufri në temat biblike përdor edhe hollësitë autoktone dhe gërsheton kështu në mënyrë të shkëlqyer gjenialitetin e artistit me traditën. Në Kostur ai pikturoi figurën e famshme të bariut, së cilës do t’i kthehet disa herë. Për figurën e bariut në pikturën e Onufrit, sipas Shuteriqit ka shkruar edhe Gjon Buzuku, bashkëkohës i tij. Në Shelcan Onufri pikturoi edhe një anije të një tipi të panjohur në Shqipëri. Me një anije të atillë mendohet se ai udhëtoi në Italinë e Jugut, si titullar i patriarkanës së Ohrit. Ky piktor i shquar i përket elitës kulturore antiosmane dhe mbeti një përfaqësues avanguardist i pikturës ballkanike, që krijoi shkollë në kohën e mungesës së shkollave pikturale. Ai la vazhdonjës të birin e tij Nikollën, Onufër Qipriotin dhe disa piktorë të tjerë anonimë. Puzanova, studiuesja ruse që e zbuloi, thotë se ai i përket stilit të paleologëve. Edhe piktori tjetër i famshëm kishtar, Kostandin Shpataraku, i shekullit XVIII, është me origjinë nga Shpati i Elbasanit. Shpataraku ka pikturuar kryesisht ikona. Ndër më të njohurat është ajo me titull “Shën Gjon Vladimiri”, ku shenjtori rrethohet me dymbëdhjetë skena rrethore; në njërën prej të cilave paraqitet figura e princit Karl Topia me kishën në sfond. Emri i Kostandin Shpatarakut gjendet edhe në një kodik të kishës së Shën Kollit në Elbasan. Shuteriqi pohonte se një Dhimitër, piktor që ka qëndisur epitafin e Gllavinicës, është pinjoll i aranitëve.
Elbasani mbahet si djepi i Esnafëve më të hershëm të Ballkanit. Relacionet e ambasadorëve venedikas në fund të shekullit XVI flasin shumë për Elbasanin dhe periferinë e tij. Marrëdhëniet e tij shtriheshin në të gjithë Shqipërinë e Mesme e deri në Ohër e Shkup. Elbasani dhe krahina e Shpatit përfshihej në juridiksionin e patriarkanës së Ohrit dhe në shekullin XVI në kryesinë e saj kishte shqiptarë nga Elbasani. Shuteriqi ka gjetur dokumente të shumta për zhvillimet e Elbasanit në Mesjetë. Disa nga ato flasin për revolta heretikësh të lidhura edhe me lëvizjet heretike të arbëreshëve të Italisë e që i lëkundnin sadopak dogmat fetare nga pozicioni i tyre i ngurtë.
Në shekujt XVII-XVIII, duke qenë qendër sanxhaku, Elbasani vazhdoi të zhvillohej si qytet i rëndësishëm zejtar e tregtar. Në këtë kohë numërohen 60 lloje zejesh të organizuara në 45 Esnafe. Mund të përmendet “Kodiku i Esnafëve të Tabakëve”, që mban datën 15 maj 1658, i cili konsiderohet ndër më të vjetrit në Ballkan. Më 1650 qyteti dëshmohet me 2000 shtëpi e 900 dyqane e punishte ku punohej: lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi. Në shkruesit e të dërguarve të Portës së Lartë, ndër të tjera flitet për mosbindje ndaj haraçit osman. Vetëm krahina e Shpatit, ish-principata e Aranitëve, kishte siguruar njëlloj pavarësie relative në kushtet e sundimit osman, prandaj në këtë krahinë edhe sot lulëzon një folklor origjinal, në të cilin bota jepet e legjendarizuar përmes një epike dhe lirike popullore. Evlija çelebi, inspektor i perandorisë osmane, që më 1662 vizitoi disa qendra qytetare të Shqipërisë së Mesme, e quan Elbasanin qytet i poetëve.
Elbasani, si qytet i zhvilluar në shekujt XVII, XVIII u bë edhe një qendër e rëndësishme e kulturës. Libri i parë i botuar në Elbasan, sipas Shuteriqit, është i vitit 1690, një Akothulli me këngë kishtare për Shën Jon Vladimirin greqisht. Ruhen dy kopje, një në Athinë e një tjetër në “British Museum” në Nju Jork. Dhaskal Todri i përgatiti një botim të dytë edhe me disa shtesa të krijuara prej tij më 1774. Por dokumenti më i vjetër dhe shumë i rëndësishëm është një Alfabet origjinal, dorëshkrim i mesit të shekullit XVII me autor Theodhor Bogomilin, i quajtur fillimisht Anonimi i Elbasanit, të cilin e ka zbuluar Shuteriqi në një kodik të Shën Jon Vladimirit më 1949. Shuteriqi ka bërë studime të rëndësishme për këtë figurë. Aty nga mesi i shekullit XVIII në Elbasan jetoi disa kohë pasi u kthye nga Besarabia, ku u internua disa vjet poeti bejtexhi Nezim Frakulla. Madje aty qëndroi përkohësisht kur u kthye nga Persia edhe poeti tjetër i kësaj rryme, Sulejman Naibi. Në Elbasan, shkruan Shuteriqi, poezia e tyre fitoi natyrë shoqërore, duke pasqyruar “jetën e trazuar të kohës, virtytet njerëzore dhe dashurinë”. Ata megjithëse bënë përpjekje modeste individuale për ta pastruar shqipen, ajo në këtë kohë ishte ngarkuar së tepërmi me turqizma. Nezimi si përfundim, sipas dokumenteve që pati gjetur, vdiq në një burg të Stambollit; nuk dihen shkaqet përse ishte burgosur, kurse Naibi, vdiq në Berat, në qytetin e lindjes.
Në pjesën e dytë të shekullit XVIII dhe në fillimet e shekullit XIX, në Elbasan merr hov një lëvizje kulturore që shquhet në përpjekjet e shumta për të shpikur një alfabet. Pas Anonimit vjen Dhaskal Todri. Alfabeti i tij i vitit 1795 ka 52 shkronja. Todri ripërktheu dy Dhiatat, por vetëm Mesha e Shën Gojartit, disa fragmente ungjijsh, si dhe parafrazimi i dy fabulave të Ezopit kanë mbërritur gjer në ditët tona. Në këto tekste vihet re gjetja dhe përdorimi i neologjizmave të natyrës shqipe, që u vlejtën shumë shërbesave fetare. Ai porositi në Gjermani edhe një shtypshkronjë shqipe me shkronjat e tij, por e vranë në Dhiavat të Resnjës. Nuk dihet gjë për varrin e tij. Shkrimi i Todrit që kishte si bazë elbasanishten e kohës, u përdor edhe më gjerë në Berat e Kavajë. Shuteriqin e ka magjepsur që herët figura e tij. Ai mblodhi material për jetën dhe veprimtarinë e këtij martiri të shkrimit shqip dhe shkroi tregimin “Buka dhe thika” më 1972, që pastaj u bë skenar i filmit monumental “Udha e shkronjave”.
Në shekullin XIX, gjatë periudhës së lëvizjes së madhe për Rilindjen Kombëtare në Elbasan, që tani kishte një traditë të ndritur dhe tragjike për shkrimin shqip, ngrihen një varg shoqërish patriotike. Rilindja Kombëtare nxjerr figura të shquara si Kostandin Kristoforidhi, gjuhëtar, shkrimtar, përkthyes e patriot i madh. Më 1857 në Stamboll ai pati hartuar një “Memorandum për gjuhën shqipe”. Kudo që shkoi, Kristoforidhi mendoi për gjuhën dhe shkollën shqipe. Edhe lidhja e tij me shoqërinë biblike të Londrës në Stamboll, shprehej me përkthimet fetare në një shqipe të pastër. Më 1867 ai botoi një “Abetare” gegërisht; një vit më vonë e botoi atë edhe toskërisht dhe donte të hapte shkollën shqipe. Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit XIX qe i mbushur me punën e tij në fushën e shqipes. Kristoforidhi ishte një personalitet i gjithanshëm. Përveç mësimit të gjuhës shqipe që jepte fshehurazi dhe përpjekjeve për t’i kurorëzuar përpjekjet e Rilindësve me hapjen e shkollave shqipe, ai ishte edhe përkthyes, edhe mbledhës i visareve të gjuhës së popullit. Ai e provoi veten edhe në prozën e shkurtër si shkrimtar. Tregimi “Gjahu i malësorëve” u botua më 1902. Për të kurorëzuar punën më të rëndësishme të jetës së tij, veprën “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, ai ndërmori dy udhëtime të gjata nëpër Shqipëri, në të cilat mblodhi fjalë e shprehje të moçme nga goja e popullit. Ky libër i jetës së Kristoforidhit, themeli i shqipes së shkruar, u botua në Athinë, më 1904, pas vdekjes së tij me përpjekjen e disa miqve dhe shokëve. Fjalori është vepra e parë ku shqipja e pa veten në një shtëpi të sigurt, të përjetësuar. Vetë Kristoforidhi vdiq në varfëri të plotë dhe e la familjen të zhytur në borxhe. Fjalori i Kristoforidhit mbetet përherë i ri, si një nga veprat më të rëndësishme të leksografisë shqiptare, duke pasur privilegjin që të jetë i pari dhe që u bë gjatë Rilindjes Kombëtare dhe që pret një botim të ri si e gjithë vepra e këtij gjuhëtari të madh..
Shuteriqi ka shkruar shumë për Kristoforidhin. Fillimisht u nis nga jetëshkrimi i të atit, Simon Shuteriqit, botuar më 1911 në Manastir. Ai ka shkruar edhe për mësuesin Tushi i Pinës, nxënës i Kristoforidhit, që vdiq i ri. Tushi jepte mësimin e shqipes fshehurazi. Ai qe edhe mësues i Simonit. Simoni nga Tushi e mori metodën që t’u mësonte nxënësve alfabetin latin për t’u mësuar pak frëngjisht. Tushi ishte patriot dhe intelektual. Shkruante edhe poezi. Përktheu dy tragjedi të Sofokliut. Kur vdiq Kristoforidhi, ai u bë i famshëm me ligjëratën e përmortshme me fjalët: “Qani o ju male të Shqipërisë, se sot vdiq Kostandin Kristoforidhi, babai i gjuhës shqipe”!
Elbasani ka qenë përherë një qendër e rëndësishme atdhetarie, për shkrimin dhe shkollën shqipe, por në etapën e fundit të Rilindjes Kombëtare ai u bë përhapësi kryesor i mendimit arsimor e kulturor. Në Arkivin Qendror, mes dokumenteve të tjera për Elbasanin, mund të lexohet me kureshtje edhe një paragraf nga një informacion i konsullit rus, A. Rostkovskij, dërguar Ministrisë së Jashtme ruse që nga Manastiri, më 14 gusht 1901: “[…] qarku i Elbasanit është qendër e propagandës nacjonale Shqiptare dhe se atje ka ngulur rrënjë të thella ideja e propagandës prej komiteteve të ndryshme të jashtme shqiptare, se të gjithë shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër dhe e kanë për detyrë të ndihmojnë njeri-tjetrin në çdo rast”.
Pas shpalljes së Kushtetutës Xhonturke, më 1908 në Elbasan u krijuan një sërë shoqërish dhe klubesh patriotike që kishin si mision përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip. Kështu, Elbasani me të drejtë mund të quhet një qytet historikformues i kulturës dhe arsimit shqip. Më 1909, në ditët e para të shtatorit, në Elbasan u mbajt Kongresi Arsimor i Elbasanit, me shumë rëndësi për fatet e arsimit në Shqipëri. Me vendim të tij, më 1 dhjetor 1909 u çel Shkolla Normale që gazeta “Korça” e quajti “universitet shqiptar” . Ajo shkollë njihet historikisht si djepi i përgatitjes së arsimtarëve të rinj. Kjo ngjarje i jep me të drejtë qytetit një pasaportë të ndritur si vatër e dijes dhe e arsimit popullor. Drejtor i Normales u caktua Luigj Gurakuqi. Fjalët e Gurakuqit në ditën e çeljes: “Elbasani, sikundrë asht mezi i Shqypnies landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnies mendore: do të jetë truni, do të jetë zembra e të gjithë shqyptarëve. Këtu kadundëji me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëtrajtohen e do të bahen nji; këtu toska me gegën do të derdhen, do të treten, do të përzihen bashkë…këtu gjuha shqype… do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkme, këndej do të dalin shqyptarë, vetëm shqyptarë!” janë një mësim i madh për shqiptarët në të gjitha kohët. Ajo ishte e para shkollë e mesme me fizionomi të qartë kombëtare në Shqipëri, e cila do të pranonte nxënës nga të gjitha krahinat e vendit, duke përfshirë edhe Kosovën e çamërinë. Mësues të parë në Shkollën Normale ishin personalitete të rëndësishëm të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Sali çeka, Sotir Peci, Kostaq Cipo e të tjerë, për të cilët Shuteriqi ka shkruar dhe botuar shumë.
Elbasani është një qytet ku kultura vendase është trazuar disa herë në histori me kultura të tjera. Myslimanë e të krishterët kanë shkuar relativisht mirë. Sipas Shuteriqit, katolikë kishte gjer në Qukës. Në zonën e Elbasanit janë gjetur dy kambana të mëdha, njëra në Lleshanar të Shpatit, e datuar më 1455, që është viti i gjëmës së Beratit, e derdhur në vend dhe tjetra pa të dhëna, e gjetur në kishën e Shën Kollit, sipas shënimeve që pati lënë Shtjefën Gjeçovi. Të dyja kambanat janë të kohës së Skënderbeut. Në Lleshanar janë zbuluar edhe gjurmët e një kështjelle ilire.
Historikisht viset e tij kanë qenë pjesë e qëndresës antiosmane, por në vitet 1910, 1911 dhe 1912 në kryengritjen e përgjithshme që shpuri në Shpalljen e Pavarësisë, Elbasani qe model i luftës për liri. Në aktin e madhërishëm të Shpalljes së Pavarësisë, ai njoftoi i pari si qytet i lirë me ngritjen e flamurit në qytet, që më 25 nëntor 1912. Aty janë zhvilluar herë pas here tubime të rëndësishme kombëtare. Edhe nisma e vitit 1916 që morën disa rrethe patriotike me Aqif pashë Elbasanin në krye, ishte për të organizuar në Elbasan një kuvend patriotik, një Kongres Kombëtar, i cili do të krijonte një qeveri shqiptare. U ftuan të merrnin pjesë përfaqësues prej krahinave të pushtuara nga Austro-Hungaria e Bullgaria, si dhe ato nën pushtimin italian e grek. U thirrën edhe shqiptarë nga Kosova e çamëria dhe disa qendra të shqiptarëve në mërgim. Por Kongresi nuk arriti të mbahej. Sipas shpjegimeve të dokumentuara të Shuteriqit, Elbasani ndodhej në zonën austro-hungareze të pushtimit dhe binte në kundërshtim me planet e perandorisë. Përfaqësues të bijve më të mirë të Elbasanit kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Më 1920 elbasanasit mbrojtën Kongresin e Lushnjës dhe morën pjesë aktive në lëvizjen demokratike të viteve 1921 dhe 1924.
Kalaja, Sahati, Kisha e Shën Marisë, Xhamia e Nazireshës, Hamami i Pazarit, Rrapi i Bezistanit rreth pesëqindvjeçar, Selvitë, Shatrivani i shekullit XIX etj., tregojnë gjithashtu një përpjekje të vazhdueshme të elbasanasve për një jetë më të mirë. Në Elbasan vazhdojnë të zbulohen herë pas here afreske, që tregojnë për jetën e përhershme të zhvilluar dhe me kërkesa artistike të vendasve. Njëri prej tyre është i periudhës antike, i zbukuruar me figura pallonjsh, i quajtur Pusi i nimfave (shek. II p.e.r.).
Në Luftën II Botërore, Elbasani, së bashku me rrethinat e tij, u shndërrua në një qendër të zjarrtë të lëvizjes antifashiste. Madje në hyrje të Elbasanit, fshati Petresh më 1944, u ngrit i tërë kundër gjermanëve, ashtu si më 1431 kundër ushtrisë pushtuese osmane. Gjermanët në bashkëpunim me ballistët pushkatuan pesëmbëdhjetë burra të fshatit, sepse strehuan partizanët e batalionit të Dumresë me komandantin e shquar partizan, Petrit Hakani, që i zuri pritë autokolonës gjermane dhe e shkatërroi. Asnjëherë nuk është vonë të ngrihet aty një përmendore që do të përkujtonte heroizmat e dy kohëve. Elbasani u çlirua më 11 nëntor 1944.
Shuteriqi u rreshtua me çlirimtarët dhe iu vu i vetëdijshëm punës për ngritjen e arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe për të nxjerrë në dritë vlerat e shkrimit shqip dhe të kulturës kombëtare, duke realizuar njëkohësisht edhe veten si shkrimtar. Gjatë gjithë jetës ai punoi me përkushtim prej rilindësi. Këtë e dëshmojnë librat e tij madhorë: “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800”, 2006 (Tiranë, 1965; Prishtinë, 1976), “Nëpër shekuj letrarë”, 1973; “Autorë dhe tekste”, 1977; “Historia e Letërsisë Shqipe”, 1983 (1955, 1959); Moti i Madh, Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, postume 2006, Sytë e Simonidës, 2009 etj. Por në korpusin e tij krijues, me qindra e mijëra radhë ai ia kushton Elbasanit. Ai do ta quante Elbasanin strehëzën e parë shpirtërore. Pa përmendur publicistikën e veçantë që fillon me shtypin klandestin, si dhe me tregimet e poezitë e pasluftës, që janë “përplot” Elbasan, edhe disa nga librat e botuar e marrin temën nga Elbasani. Kështu, bie fjala libri i mahnitshëm për fëmijë “Gurnecka” (1957), librat e tjerë me tregime “Një mal me këngë”, 1975; “Kur rendte hëna nëpër re” (1982), “Vërshimet e vjeshtës” (1984), ushqehen me subjekte nga jeta në Elbasan. Pastaj jetëshkrimi “Aranitët” që është në shtyp, përshkruan historinë e fisit princëror të Aranitëve që jetoi në ato vise. Romani i tij “çlirimtarët”, i pari pas çlirimit, është frymëzuar nga lufta për liri në Elbasan. Megjithëse ai e pranonte edhe vetë që skema e realizimit socialist e ka dëmtuar së tepërmi veprën, ajo është një përpjekje për ta dhënë Elbasanin në një çast sublim të tij, në luftën çlirimtare. Romani ka një titull dhe organizim domethënës, që u përshtatet sagave të lashta. Përshkrimet e jashtëzakonshme të natyrës dhe portretizimet e personazheve mbeten një lëndë e mirëfilltë për studiuesit e gjuhës dhe të stilit në letrat shqipe.
Nëpër biseda Shuteriqi thoshte shpesh “Elbasani im”, por në vitet e pleqërisë e pikëllonte fakti se nuk shkonte dot më si më parë. Përherë i përmalluar për qytetin e tij të lindjes, ai pohonte me krenari se dashuria për Elbasanin e kishte ushqyer vazhdimisht krijimtarinë e tij.
“Atje bukuria është ulur këmbëkryq. Edhe kur bie shi, edhe kur është diell, drita zbret nga malet dhe ndriçon rrugët e shtigjet e ngushta, tërë hapësirën e begatë”.
Fjala e tij e ëmbël sillej shpesh rreth Elbasanit të fëmijërisë: shtëpitë tipike të tipit “elbasançe”, lulet, drurët e harlisur, aroma e portokalleve dhe limonëve të çelur, festa e ditës së verës, këngët, kuzhina e veçantë dhe rrugët e ngushta që kryqëzoheshin dikur e që kanë krijuar sheshe e shëtitore të mëdha sot, të gjitha kishin një kuptim të veçantë për të. Ato ishin si një roman i madh që ishte skalitur në kujtimet e tij. Si një pjesë e gjithësisë së mistershme, njeri me përmasa shpirtërore të mëdha dhe vullnet të jashtëzakonshëm, Shuteriqi dukej sikur kishte mbirë nga vetë toka e Elbasanit.