E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Berishën e Topallin. Uidhers, bisedë me Ramën

Rama takon Uidhers për 30 minuta në pritjen e organizuar nga kreu i delegacionit të Komisionit Europian. Ndërsa Lohan i bën thirrje partive të zgjidhin problemet


TIRANË - Nevoja e zgjidhjes së krizës politike dhe apelet e shpeshta të ndërkombëtarëve, duket se kanë motivuar aktorët politikë shqiptarë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, për të gjetur rrugët e zgjidhjes së ngërçit politik. Kjo ka bërë që kreu i opozitës, Edi Rama, të takohet për rreth 30 minuta me ambasadorin amerikan, Xhon Uidhers, për situatën politike në vend.


Duke shfrytëzuar aktivitetin për Ditën e Europës, në pritjen e organizuar nga kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, Uidhers dhe Rama kanë diskutuar mbi krizën politike midis mazhorancës dhe opozitës, mbi aksionin politik të kësaj të fundit, si dhe për mënyrat e daljes nga kjo gjendje politike.


Ndërkaq, me mbërritjen e Kryeministrit Sali Berisha në këtë aktivitet, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është larguar nga ambientet ku mbahej eventi. Ambasadori amerikan, Uidhers, ka treguar interes për zgjidhjen e krizës politike, veçanërisht gjatë takimeve me Kreun e Shtetit, Bamir Topi, para dy ditësh, në selinë e Presidencës.


Në anën tjetër, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka qëndruar fillimisht me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Më pas, atyre u është afruar edhe Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, i cili kishte organizuar edhe pritjen e djeshme.


Duke parë edhe praninë e të gjithë krerëve politikë dhe të shtetit shqiptar, ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, e ka parë të arsyeshme t'u drejtojë atyre një apel të qartë, që të angazhohen për të zgjidhur krizën politike. Lohan solli ndërmend edhe teorinë e ish-ministrit të Jashtëm të Francës, Robert Shuman, në vitet '50-të, se zgjidhja e problemeve të tanishme vjen përmes eliminimit të konflikteve midis armiqve të vjetër.


Ai iu referua edhe thirrjes së përfaqësuesve të Bashkimit Europian gjatë dy ditëve fundit për të zgjidhur krizën politike, duke thënë se nuk është rastësi që BE-ja kërkon vendosjen e dialogut politik e konstruktiv midis aktorëve dhe partive më të mëdha në vend.


"Për sa i përket Shqipërisë, më vijnë ndërmend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria drejt Bashkimit Europian. Kujtoj teorinë e Robert Shuman që flet për eliminimin e konfliktit midis armiqve të vjetër, si kusht për të zgjidhur edhe problemet e tanishme.


Bashkimi Europian edhe në të kaluarën, por edhe tani ka plot shembuj sesi ka ndihmuar dialogu për zgjidhjen e problemeve dhe zgjidhjen e krizave. Qoftë urtësia e Robert Shumanit, ajo që do të udhëheqë BE-në dhe Shqipërinë në të ardhmen", - tha dje Lohan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›