Diplomacia, Tirana i kërkon Romës ta përfaqësojë

Tirana zyrtare zgjedh Romën si partner të preferuar për ta përfaqësuar në ato vende ku Shqipëria nuk ka ambasada apo konsullata. Nga burime zyrtare bëhet e ditur se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë italiane që diplomacia e vendit fqinj të ndihmojë Shqipërinë në ato vende ku Tirana zyrtare nuk është e përfaqësuar me ambasada apo zyrë diplomatike. Pas një shkrese të firmosur nga zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi, për të kërkuar ndihmë nga Ankaraja zyrtare në këtë drejtim, shefi i diplomacisë shqiptare, ka bërë një hap më drejt Perëndimit, duke i ofruar Romës edhe një gjest sinjifikativ partneriteti strategjik. Në fakt, kërkesën e qeverisë shqiptare e ka konfirmuar dje nga Tirana edhe ministri i jashtëm italian, Franco Frattini, pas takimit që zhvilloi paradite me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. “Italia po studion me një nuancë shumë të favorshme kërkesën e Shqipërisë që Italia të garantojë përfaqësinë diplomatike dhe konsullore në vendet ku nuk ka seli diplomatike”, ka deklaruar shefi i diplomacisë italiane. Ky fakt për herë të parë bëhet në publik pas polemikave të përhapura nga kërkesa e një natyre të ngjashme për Turqinë. Në muajin dhjetor, Ministria e Jashtme, i ka bërë një shtesë marrëveshjes së vitit 1998 mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku theksohet se “Një palë, në shtetet pritëse ku pala tjetër nuk përfaqësohet, për të mundësuar kryerjen e shërbimeve diplomatike për këtë palë, afron mundësitë për të siguruar ndihmën e nevojshme administrative dhe logjistike në kuadrin e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare. Një palë, në shtetet pritëse..., me miratimin e këtij shteti dhe mbështetur në procedurat e saj ligjore dhe administrative, do të vlerësojë mundësinë për marrjen e masave të nevojshme për caktimin e përfaqësuesit në nivel agjenti diplomatik në misionet diplomatike të njëri-tjetrit”. Ndërkaq, me kërkesën e fundit që Meta i ka bërë Romës, Tirana zyrtare i ka dhënë një dimension më të afërt marrëdhënieve me Italinë, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë, ku kjo e fundit nuk ka ambasada. Edhe pse nuk hidhet poshtë marrëveshja me Ankaranë, duket se vakumin pritet ta mbushë më shumë Italia, pasi si një institucion i madh “Farnesina”, (Ministria e Jashtme Italiane) ka një rrjet shumë të dendur diplomatik dhe konsullor në të gjithë botën.
#