Doktorë e pacientë, në hall prej mjekut të familjes
Mjekët e spitalit të Peshkopisë pohojnë për “Shqip” se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për vizitat vetëm me rekomandim të mjekut të familjes ka sjellë shumë probleme për ta dhe banorët e zonave të thella malore. Sipas këtij urdhri, të sëmurët nuk mund të marrin shërbimin e duhur mjekësor pa pagesë në spital apo poliklinikë, nëse nuk kanë rekomandimin e mjekut të zonës përkatëse prej nga vijnë. Thyerja e këtij urdhri sjell ndëshkim edhe për vetë mjekët që nuk e zbatojnë atë. “Nuk mund të mos u japim ndihmën e duhur mjekësore fëmijëve që rrezikojnë jetën, thonë mjekët, vetëm pse u mungon rekomandimi i mjekut të zonës prej nga vijnë edhe pse nga një veprim i tillë mund të ndëshkohemi”. Prindërit ankohen se nuk kanë mundësi për të marrë rekomandimin e mjekut të familjes, për shkak të mungesës së tij, si dhe largësisë nga qendra shëndetësore e komunës. Në të tilla kushte, pohojnë mjekët e spitalit rajonal të Peshkopisë, ndihemi vërtet keq, pasi nuk dimë sesi të veprojmë. Për çdo ditë pranë këtij spitali vijnë pacientë të shumtë nga zona të thella malore si Kalaja e Dodës, Selishta, Lura, Sllova etj., në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, e cila rëndohet edhe për shkak të largësisë së këtyre zonave nga spitali, gjë e cila bën që këta pacientë të vijnë me vonesë për mjekim. Nëse ata nuk kanë rekomandimin e duhur nga mjeku i zonës, atëherë vizitën duhet ta bëjnë me pagesë që varion nga 200 lekë e lart. Duke ardhur nga zona të thella malore tejet të varfra ata ankohen se nuk kanë para për të paguar. Ka edhe raste, kur gjendja shëndetësore e fëmijëve përkeqësohet dhe prindërit acarohen e përplasen me bluzat e bardha, duke u kërkuar atyre që të ndërhyjnë për kurimin e fëmijëve pa pagesë. Mjekë të këtij spitali pohojnë se në urdhrin e MSH-së për vizitat duhet të rishikohen disa pjesë të tij që bien ndesh me jetën e njerëzve dhe veçanërisht të fëmijëve që vijnë nga fshatra të largëta. Kjo, pasi në shumicë banorët e fshatrave në zonat e thella malore e kanë të pamundur marrjen e rekomandimit nga mjeku i familjes, pasi qendra shëndetësore në komunë ndodhet rreth 2-3 orë larg vendbanimit të tyre. Duke qenë spital rajonal, pranë tij vijnë pacientë edhe nga Bulqiza, pasi në rrethin e tyre ka mungesë të mjekëve specialistë për të marrë shërbimet e duhura mjekësore.
#