Gjykata e Lartë rrëzon nënën e Edi Ramës
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesat e Aneta Ramës, nëna e kryesocialistit Edi Rama, për dëmshpërblim moral në dëm të Kryeministrit Sali Berisha. Kolegji Penal, i drejtuar nga gjyqtarja Evgjeni Sinoimeri, pasi dëgjoi pretendimet e avokates përfaqësuese të Kryeministrit dhe palës paditëse, vendosi të shpallë pushimin e gjykimit për këtë çështje. Ndërkohë, Gjykata e Lartë i ka dhënë kohë deri më 4 maj avokates së Kryeministrit Berisha të njihet me provat e paraqitura nga Aneta Rama në procesin kundër tij për shpifje. Në seancën e djeshme gjyqësore, në Gjykatën Supreme avokati i Aneta Ramës, Arjan Salasi, ka theksuar se deklaratat e Kryeministrit Berisha në Kuvend kundër Edi Ramës dhe familjes së tij janë të pavërteta dhe denigruese. Ai i kërkoi Gjykatës së Lartë që t’i hiqet imuniteti Kryeministrit Sali Berisha dhe të hetohet nga ky Kolegj Penal, ndërsa kërkoi praninë e një prokurori në seancën e ardhshme. Nga ana tjetër, avokatja e Kryeministrit, Erinda Ballanca, theksoi se deklaratat e Kryeministrit në foltoren e Kuvendit janë thjesht deklarata politike dhe duhen marrë si të tilla, madje, sipas saj, vetë numri një i qeverisë ka shprehur respekt për zonjën Aneta Rama. Ajo kundërshtoi pretendimet e paditësve për pjesëmarrjen e një prokurori, duke deklaruar se gjykata nuk është në këtë fazë dhe do të duhet një shqyrtim sa më i hollësishëm, pasi i mbrojturi prej saj gëzon imunitetin.
Pas pretendimeve të palëve, gjykata vendosi t’i japë kohë deri më 4 maj avokates së Kryeministrit për t’u njohur me të gjitha ato që konsiderohen si prova nga pala paditëse, ndërsa rrëzoi pretendimet për dëmshpërblim moral, me arsyet se i padituri ka imunitet dhe Gjykata e Lartë nuk është organi kompetent ku mund të adresohet kjo kërkesë. Në këtë rast, zonja Aneta Rama duhet t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës për të përfituar dëmshpërblimin nga deklaratat fyese të Kryeministrit.
Në seancën e datës 29 mars të këtij viti, nëna e kryesocialistit nuk pranoi pajtimin me Kryeministrin Berisha, duke i konsideruar denigruese deklaratat e tij. Avokatët e Ramës i thanë gjykatës se Kryeministri më 26 nëntor 2009, në seancën e Kuvendit ka shpifur ndaj klientes së tyre në dy fjalitë kur ka thënë se “zonja ka kuruar të birin për disa vjet dhe se i biri e ka nxjerrë me rrobat e gjumit në pazar”. Në këtë seancë, trupi gjykues, në bazë të ligjit, i ka kërkuar paditëses ta falë të akuzuarin, por zonja Rama nuk ka pranuar, duke deklaruar se “nuk ia fal Berishës ato që ka thënë për familjen time”.