Diplomacia europiane, mbështet edhe liberalizimin e vizave me Shqipërinë

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe që njëherazi aderojnë edhe në bllokun 27 anëtarësh të BE-së, deklarojnë se Shqipëria ka përmbushur kriteret porsa i takon heqjes së vizave dhe se marrja e vendimit nuk duhet të vonojë. Takimi i Qipros i kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, konfirmoi edhe njëherë se Shqipëria ka hedhur hapa progresistë, në vijim të kapjes së standardeve ndërkombëtare, për të përfituar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarëve. Në unison vendet përfaqësues të BE-së u shprehën se liberalizimi i vizave është një proces i pakthyeshëm dhe se tashmë ‘topi’ është në gjysmë fushën e bllokut 27 anëtarësh, për të vendosur datën, që do të integrojë përfundimisht Shqipërinë në listën e bardhë të “Schengenit”. Kësisoj, takimi i Qipros kishte dy momente të veçanta për Shqipërinë. Nga njëra anë, parlamentarët evropianë u shprehën koncizë porsa i takon situatës politike në Shqipërinë, duke mos hequr as presjen e deklaratave zyrtare të Brukselit. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, parlamentarët evropianë thanë se Shqipëria ka përmbushur kushtet dhe se tani, është gjithçka në dorë të Bashkimit Evropian, për të vendosur një datë të caktuar, për hyrjen në fuqi të “Schengenit” edhe për shqiptarët.
...