Luksemburg, Bashkimi Evropian diskuton sot për Shqipërinë
Krerët e diplomacisë së Bashkimit Europian do të diskutojnë sot në Luksemburg mbi situatën politike në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht tek thirrjet destruktive të opozitës së Edi Ramës. Në bazë të axhendës së publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, thuhet se ministrat e Jashtëm të bllokut mblidhen të hënën në Luksemburg, ku do të diskutojnë për një sërë çështjes, mes të cilave renditet edhe situata politike në Shqipëri. Në axhendën e publikuar thuhet se Këshilli do të diskutojë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe pritet madje të miratojë disa konkluzione. Ndër temat kryesore janë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish Jugosllavinë, ku ministrat do të dëgjojnë vlerësimet e kryeprokurit Serzh Bramertz. Në këtë kuadër do të diskutohet edhe nisja e ratifikimit të procesit mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë. Këshilli pritet t’i rikthehet gjithashtu edhe temës së negociatave për anëtarësim me Maqedoninë. Megjithatë diskutimi për Shqipërinë pritet të ndiqet me interes, në kushtet kur faktori ndërkombëtar brenda në Shqipëri por edhe në Bruksel ka përsëritur ditët e fundit se mirëpret zgjidhjen e situatës politike në vend, ku dy partitë e mëdha ende nuk kanë arritur një marrëveshje për mënyrën dhe deri ku do të shkojë hetimi për zgjedhjet e 28 qershorit. Më e rëndë, situata është interpretuar lidhur me deklaratat e opozitës dhe kreut të saj, Edi Rama se janë të gatshëm t’u rikthehen protestave dhe grevës së urisë. Standard ky, që siç edhe është theksuar jo vetëm është dënuar fort nga vendet e Unionit, por njëherazi i është tërhequr vëmendja opozitës, duke e paralajmëruar atë për një izolim të mundshëm ndërkombëtar.
...