E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia evropiane mbështet liberalizimin e vizave me Shqipërinë

Kryetarja e Kuvendit Topalli, merr garanci në Qipro për heqjen e vizave

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka vijuar në Qipro “diplomacinë parlamentare” për liberalizimin e vizave dhe promovimin e sfidave të integrimit të Shqipërisë.
Kryeparlamentarja Topalli është takuar me homologë të saj evropianë dhe u ka kërkuar atyre të mbështesin aspiratat integruese të Shqipërisë. Gjatë takimeve me
kryetaren e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Letonisë, Bullgarisë, nënkryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Kryetarin e Senatit të Polonisë, Presidentin e Dhomës së deputetëve italianë, Giafranco Fini, kryetarja e Kuvendit ka kërkuar prej tyre të mbështesin Shqipërinë në rrugët e saj të integrimit.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pati një takim të veçantë me Kryetaren e Dhomës së Lordëve, Baroneshën Heyman dhe Nënkryetarin e Dhomës së Ulët, Sir Alan Haselhurst.
Në fillim të takimit Kryetarja e Kuvendit i shprehu interesin e Kuvendit të Shqipërisë për lidhje më të forta dhe shkëmbime më të shpeshta mes Kuvendit të Shqipërisë dhe homologëve britanikë.
Gjatë takimit Jozefin Topalli u përqendrua në zhvillimet e Shqipërisë në vitet e fundit. Ajo falënderoi Kryetaren e Dhomës së Lordëve dhe Sir Haselhurst për mbështetjen që, Britania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, në proceset e integrimit euro-atlantik.
Kryetarja e Kuvendit tha se, “Në vitet e fundit Shqipëria është transformuar më shumë se çdo vend tjetër; ajo ka bërë kërkesën për statusin e vendit kandidat, ka kthyer përgjigjet për pyetësorin e dërguar nga Komisioni Europian dhe ndodhet në prag të vendimeve të rëndësishme për integrimin europian.
“Një vit më parë, më 28 Qershor Shqipëria bëri zgjedhjet, të cilat nga ,arbitri ndërkombëtar, u kualifikuan si zgjedhje të standardeve të OSBE-së. Ky ishte procesi më i mirë dhe më transparent, që shqiptarët kanë pasur në 20 vite.
Për të arritur këtë transparencë, numërimi i votave u bë përmes fotografimit, skanimit, filmimit dhe transmetimit on-line. Kjo ishte një gjë e re që ne arritëm në Shqipëri”, tha zonja. Topalli.
Baronesha Heyman vlerësoi se kjo ishte diçka e re, jo vetëm për Shqipërinë, por ajo e gjente shumë interesante, si rasti i një transparence të plotë që vendoste në bazë, besueshmërinë.
Në takimet e zhvilluara me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Letonisë, Bullgarisë, nënkryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Kryetarin e Senatit të Polonisë, Presidentin e Dhomës së deputetëve italianë, Giafranco Fini, kryetarja e Kuvendit ka marrë garanci të plota, për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
“Sllovenia, tha Kryetari i Parlamentit slloven ju ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, në të gjitha përpjekjet e saj drejt Bashkimit Europian”.
“Kjo mbështetje nuk do të mungojë as në heqjen e vizave. Integrimi dhe liberalizimi i vizave shkojnë paralelisht, ndaj ne e konsiderojmë heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si prioritet. Ne sigurisht, tha Gantar nuk do e lidhim çështjen e vizave me situatën politike në Shqipëri. Këto dy çështje, nuk mund të lidhen bashkë” .
Mes takimeve të shumta Kryetarja e Kuvendit u takua e bisedoi me Kryetarin e Parlamentit të Letonisë, Daudze dhe të Bullgarisë, Tsacheva.
Këto takime synuan mbështetjen për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, përmes lobingut, me të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në Qipro janë mbledhur Kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që prej vitit 1995.
Anëtarë të Këshillit të Europës janë edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, ku Shqipëria ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim një vit më parë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›