E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia parlamentare, delegacioni i Kosovës në Sllovaki

Një delegacion prej 11 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në përbërje Elmi Reçica, Blerta Deliu – Kodra, Zenun Pajaziti, Teuta Sahatqija, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Visar Ymeri, Alma Lama, Ardian Gjini, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albert Kinolli po qëndron në një vizitë zyrtare në Bratislavë të Sllovakisë.

Kjo vizitë, e cila është mundësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Këshillin Britanik, Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, ka për qëllim përfshirjen në diplomacinë parlamentare me shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Sot, deputetët janë takuar me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Mirosllav Llajcak, me përfaqësues të partive të ndryshme politike, me përfaqësues të Komisionit Evropian në Sllovaki: Dushan Çreneki, Mikulas Xhurinda, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediumeve.

Si njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, delegacioni kosovar do të vazhdojë edhe nesër takimet me personalitete të tjera me influencë politike, sociale dhe ekonomike në Sllovaki. Mes tjerash, anëtarët e delegacionit do të takohen edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Frantishek Sebej dhe mysafirin e nderit, Eduard Kukan, eurodeput dhe kryetar i delegacionit për marrëdhënie me shtetet e Evropës Juglindore./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›