E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti, paketa bazë e shërbimeve falas

29/01/2009  Formësohet projektligji i ri, që përmbledh kuadrin ligjor për gjithë strukturat e Shëndetit Publik

Forcohen masat kundrejt përhapjes së epidemive, kontrolle të forta në pikat doganore

Infrastruktura e shëndetit publik në vendin tonë tashmë do të organizohet sipas një projektligji të ri, i cilit parashikon një sërë ndryshimesh për këtë sektor. Në dokumentin e ri, të prezantuar gjatë ditës së djeshme nga specialistët e shëndetësisë, është pohuar se qytetarët do të përfitojnë shërbime më cilësore të grupuara sipas kategorive. Kështu, për të mbuluar të gjithë popullatën me shërbime pavarësisht aftësisë së tyre për të paguar, edhe në këtë sektor do të jetë një paketë bazë e kujdesit, që do të ofrohet falas në rang kombëtar. Gjithashtu drafti përmban nene specifike nëpërmjet të cilave synohet që të bëhet një përcaktim i saktë mbi ruajtjen e shëndetit publik nga faktorët mjedisorë, sigurinë ushqimore dhe ujin e pijshëm (sektorë të cilët gjatë viteve të fundit janë shndërruar në problem serioz për popullatën). Ndryshimet e reja të propozuara do të jenë në përshtatje edhe me reformën më të re të ndërmarrë në sektorin shëndetësor e që ka të bëjë me mënyrën e vetëfinancimit të spitaleve.

Shërbimet

Do të jetë një paketë bazë shërbimesh, që do të ofrohet falas për të gjithë popullatën. Mbulimi i popullatës me një sërë shërbimesh të njëjta për të gjitha kategoritë do të jetë veçanërisht në fusha si ato të shëndetit mendor, atij riprodhues dhe planifikimit familjar, kujdesi ndaj sigurisë ushqimore dhe cilësia e ujit të pijshëm. Këto të fundit janë bërë shumë herë dhe shkaktare të një sërë problemesh shëndetësore, të cilat janë përhapur më pas në të gjithë komunitetin. Kjo për shkak se masat e marra nga institucionet përkatëse kanë qenë të shpërndara dhe pa një mënyrë organizimi. Ofrimi i këtyre shërbimeve falas do të jepet jo vetëm pranë qendrave spitalore, por edhe në qendrat e kujdesit parësor, që është dhe hallka e parë e trajtimit të problemeve shëndetësore. Paketa bazë e shërbimeve flas synon të mbrojë popullatën nga një sërë sëmundjesh, sidomos ato me natyrë kronike, për të cilat nga dita në ditë shtohet numri i pacientëve dhe i shkallës së vdekshmërisë kombëtare. "Mbi të gjitha ky projektligj parashikon një paketë bazë të shërbimeve shëndetësore si në nivel komunitar, ashtu dhe individual, pavarësisht nga aftësia për të paguar, të garantuar përmes mënyrës rregullatore dhe shtetit. Ky është një hap i duhur në drejtim të organizimit, bazës së funksionimit të shëndetit publik në kushte të reformimit të sistemit shëndetësor dhe sfidave të reja që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve", - ka pohuar zëvendësministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj.

Miratimi

Hartimi i këtij projektligji rregullon për herë të parë kuadrin ligjor në të gjithë sektorët e shëndetit publik dhe është realizuar me konsulencën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Megjithatë, brenda një kohe të shkurtët pritet që ky projektligj të paraqitet për diskutim në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë dhe pas përcaktimit të ndryshimeve të shkojë për miratim në parlament. "Ligji, i cili është përgatitur me asistencën teknike të OBSH-së, synon mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e jetesës së shëndetshme të popullatës në Shqipëri përmes veprimtarive të organizuara, ndikimi i të cilave shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjitha grupet e popullatës", - ka pohuar Ivanaj.

Ky ligj rregullon marrëdhëniet e shtetit me të gjithë aktorët e ndryshëm që prodhojnë shëndet apo përfitojnë shëndet në favor të mirëqenies fizike, mendore dhe sociale të të gjithë individëve, që jetojnë në lagje, qytet, fshat apo lokalitet në Shqipëri. Prioritet do të ketë ruajtja e shëndetit publik nga faktorët mjedisorë, sigurinë ushqimore dhe ujin e pijshëm. Këto të fundit kanë ndikuar në shtimin e shkallës së sëmundshmërisë në vendin tonë gjatë viteve të fundit.

“Epidemitë”, kontrolle në pikat doganore

Drafti ligjor i hartuar nga ekspertët e shëndetësisë me konsulentë edhe të OBSH-së për shëndetin publik veç të tjerash synon forcimin e kontrolleve në pikat doganore për çdo person që kalon kufirin. Kjo me qëllimin e vetëm që nëpërmjet monitorimit të individëve që hyjnë e dalin në këto pika kufitare të mbahet larg rreziku i sjelljes së ndonjë epidemi shëndetësore. Specialistët hartues pohojnë se, nëse ky projektligj për shëndetin publik do të miratohet, në pikat kufitare të vendit tonë do të ketë më shumë kontrolle kundrejt individëve mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Kreu i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, thotë se nëpërmjet inspektorateve do të merren të gjitha të dhënat shëndetësore për këta persona, duke ndihmuar kështu në shmangien e epidemive apo sëmundjeve të tjera të rrezikshme që mund të përhapen në komunitet. Kjo procedurë kontrolli do të kryhet nga inspektoratet sanitare, veçanërisht në periudhat kur fluksi i emigrantëve që hyjnë e dalin në vend është i lartë (për festa dhe gjatë sezonit turistik). Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet që në çastin e daljes së një problemi shëndetësor të bëhet trajtimi i tij dhe të shmanget importimi brenda vendit, duke rrezikuar dhe pjesën tjetër të popullatës. Gjatë ditëve të ardhshme pritet që të detajohen dhe ndryshimet e tjera specifike që do të përmbajë ky draft, ndryshime të cilat do të diskutohen edhe në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë.

Shërbimet bazë të shëndetit publik

a. Promovimi i shëndetit

b. Edukimi shëndetësor

a. Parandalimi i sëmundjeve, përfshirë imunizimin, depistimin

b. Siguria ushqimore, përfshi monitorimin e ujit të pijshëm

c. Shëndeti në punë

d. Shëndeti mjedisor, përfshirë monitorimin e mbetjeve urbane

e. Shëndeti riprodhues, përfshirë shëndetin e nënës, fëmijës dhe shëndetin seksual

f. Shëndeti mendor

g. Sistemi i informacionit në shëndetit publik

h. Survejanca në shëndetin publik

i. Laboratorët e shëndetit publik

Monitorimi i shërbimeve të kujdesit parësor

k. Kërkimi shkencor në shëndetin publik

l. Trajnimet në shëndetin publik

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›