Ruli: Eksporti i energjisë, me çmim të lartë
Situata hidrike në vend ka dyfishuar prodhimin vendas dhe kjo ka bërë që Shqipëria të ulë sasinë e energjisë që importon. Por nga ana tjetër rritja e prodhimit ka krijuar mundësitë për eksport të energjisë. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës ka pranuar dje për mediat se Shqipëria ka nisur të eksportojë energji drejt Greqisë. Ruli ka theksuar se eksporti i energjisë drejt shtetit fqinj po behët me çmim të lartë, i cili varion në orët e pikut deri në 80 euro megavat/orë. Më tej ai ka detajuar se si po bëhet shitja e energjisë. Ruli tha se qeveria ka miratuar propozimin e METE-s, duke i hapur rrugë shitjes së energjisë elektrike edhe në situata të prurjeve normale, por gjithmonë duke respektuar furnizimin normal me energji elektrike të konsumatorëve tariforë dhe mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në transmetim, duke mundësuar optimizimin e portofolit ekonomik të korporatës. Ruli tha se situata e mirë hidrike të muajit janar 2009, aplikimi i këtij rregullimi rezultoi akoma më i domosdoshëm. “Për këtë qëllim, për të njohur tendencat e tregut dhe me qëllim shitjen sa më ekonomike të energjisë elektrike nga KESH sh.a., u zhvillua një procedurë e testimit të tregut, nga e cila rezultoi që oferta e shoqërisë “PPC”, Greqi, ishte më e leverdisshmja. Pas përfundimit të procedurës përkatëse dhe bazuar në nevojën për energji elektrike nga ana e Korporatës Energjetike Publike Greke, PPC s.a., KESH-i negocioi me këtë kompani një kontratë shitjeje të energjisë elektrike", - tha Ruli. Ai ka bërë të njohur për median dhe termat e kontratës me kompaninë greke. Bazuar në këtë kontratë, KESH sh.a. do t’i shesë PPC s.a.-së, energji elektrike 8 orë në dite në intervalet kohore 09.00-13.00 (4 orë) dhe 16.00-20.00 (4 orë), nga dita e hënë deri në ditën e shtune, me një kapacitet 200 MW në total, ku 100 MW do të garantohen nga KESH sh.a. dhe 100 MW të tjera me marrëveshje dypalëshe ditore sipas rastit. Sasia totale që do të kontraktohet sipas kësaj marrëveshjeje do jetë deri ne 52.800 MWh, nga të cilat vetëm 26.400 MEh do të jenë të garantuara.
Lëvrimi i energjisë elektrike drejt Greqisë ka filluar me datën 22 janar 2009 (ora 09:00, ora lokale evropiane) dhe do të përfundoje me date 28 shkurt 2009 (ora 20:00, ora lokale evropiane). Ruli tha se çmimi/njësi i shitjes se energjisë elektrike do te jetë çmimi/njësi i bursës së Greqisë për çdo orë – (minus) 4%, ku rreth 4% janë humbjet e transmetimit te HTSO dhe çmimet e bursës nuk i përfshijnë këto humbje. Bursa greke administrohet nga HTSO (OST greke). Kontrata, sipas ministrit Ruli, është negociuar me çmimet që do të publikohen, që nuk kanë ndonjë diferencë të madhe nga çmimet e publikuara si të parashikuara. Ai bëri të ditur se nga analiza e çmimeve të publikuara si të parashikuara, rezulton se çmimet në orët që KESH sh.a. parashikon t'i shesë PPC-së, janë ndër çmimet më të larta të të gjithë 24-orëshit dhe siç dihet, Greqia ka ndër çmimet më të larta të rajonit dhe më të larta se çmimet e Serbisë dhe të Malit të Zi, me të cilat Shqipëria ka mundësi transmetimi. "Kjo shitje energjie nuk bëhet në dëm të plotësimit të nevojave me energji të klientëve tariforë shqiptarë, kusht i cili përcaktohet në Modelin e Tregut si dhe në rregulloren e procedurave të shitjes në fjalë", - theksoi ministri Ruli. Më tej Ruli shtoi: “Në vazhdim të asaj që thashë më sipër që situata po ndiqet në dinamike, në funksion të situatës hidrike, ne mund të zhvillojmë dhe transaksione të tjera të energjisë elektrike”. Për sa i përket çmimit të energjisë, Ruli tha se ai po eksportohet me çmime të lartë. “Në këto kushte, edhe pse në rregulloren e shitjes parashikohet që duhet të shitet vetëm me çmime/njësi më të larta se çmimi i blerjes nga KESH sh.a., nga KESH sh.a. u parashikua në kontratë që për muajin janar 2009, pavarësisht çmimeve të bursës, çmimi/njësi minimal i shitjes të jetë në çdo rast 61 euro/MWh, pra të paktën 1 euro/MWh me i lartë se çmimi i blerjes nga OSSH sh.a. dhe të paktën 12 euro/MWh më i lartë se çmimi i blerjes nga KESH sh.a.”, - tha Ruli.
Prodhimi i energjisë rritet dyfish
Prodhimi i energjisë është rritur dy herë më shumë falë situatës hidrike në vend. Ministri Ruli tha dje se Shqipëria arrin të prodhojë rreth 18 milionë kilovat orë në ditë dhe rreth 3 milionë kilovat orë në ditë i importon. Kjo do të thotë se sasia e importi nga 5 milionë kilovat orë është ulur tani në 3. Ministri Ruli pohoi edhe njëherë faktin se kërkesa për energji elektrike është shumë më e lartë se prodhimi vendas, që do të thotë se Shqipëria është një nga vendet importuese neto në rajon. "Është më se i njohur fakti se kërkesa për energji elektrike nuk mund të mbulohet nga prodhimi në vend", - theksoi ai, duke shtuar se "prodhimi mesatar vjetor është rreth 4.2 TWh/vit dhe kërkesa rreth 7 TWh, që do të thotë se Shqipëria është e detyruar të importojë rreth 2.5-3 TWh/vit, për të furnizuar normalisht me energji elektrike konsumatorët". “Shfrytëzimi i rezervës ujore në HEC-in e Fierzës përcakton në mënyrë thelbësore edhe shfrytëzimin e kapacitetit hidroenergjetik të kaskadës së lumit Drin, pra dhe të rezervës hidrike të sistemit", - tha Ruli, duke ilustruar se "në datën 20 nëntor të vitit 2008, kuota në liqenin e Fierzës ishte në nivelin 264.5 m, ndërsa prurjet vetëm 26 m3/sek, që konsiderohen shumë të ulëta edhe për muajt korrik dhe gusht". Sipas tij, pas kësaj date, situata hidrike filloi të përmirësohej, pasi filluan reshjet dhe filloi një rritje graduale e prurjeve në liqenin e Fierzës. "Me një menaxhim të kujdesshëm, me një kombinim të mirë të prodhimit vendas dhe importit, ne jo vetëm që vazhduam të furnizojmë normalisht konsumatorët me energji elektrike, por dhe të kemi edhe një rritje të kuotës së ujit në liqenin e Fierzës, e cila në datën 1 janar 2009 arriti në kuotën rreth 284 m., një kuotë normale për fillimvitin, me prurje rreth 155 m3/sek, që konsiderohet normale për këtë muaj”, - tha ministri Ruli.
Çmimi i energjisë nuk do të rritet për vitin 2009
Çmimi i energjisë nuk do të pësojë rritje për vitin 2009. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, ka garantuar dje qytetarët se në vitin në vijim s’do ketë rishikim të tarifave të energjisë elektrike. Ministri Ruli ka folur edhe për ecurinë e deritanishme të negociatave me kompaninë CEZ, që është shpallur fituese e tenderit ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së. Grupet negociatore janë në përfundim të punës dhe ndërsa brenda dy javëve të para të shkurtit pritet nënshkrimi i kontratës, duhet thënë që diskutimet kryesore kanë qenë në lidhje me Deklaratën Rregullatore, e cila shpreh parametrat kryesorë sipas të cilëve kompania do të operojë në 5 vitet e ardhshme. “Në bisedimet për këtë, janë përfshire ERE, Banka Botërore dhe përfaqësuesit e grupit negociator nga ana e qeverisë, së bashku me konsulentët. Disa nga pikat kryesore të kësaj Deklarate Rregullatore: ERE ka të drejtë që në vitin 2009 të mos ndryshojë tarifat e shitjes s energjisë tek konsumatorët fundore dhe diferencën si pasojë e kësaj “ngrirjeje” të tarifave ta shpërndajë në vite. Skeduli i uljes së humbjeve do të jetë 4% në Periudhën e Parë Rregullatore (viti 2010), 4% në periudhën e dytë rregullatore (viti 2011) dhe 9% në periudhën e tretë rregullatore (vitet 2012 – 2014). Ndërkohë që humbjet në vitin 2009 nuk mund të jenë më të mëdha se ato të arritura në vitin 2008 (parashikimi ynë është rreth 32,7%). Ky skedul konsiderohet si shumë ambicioz dhe do të ndikojë pozitivisht si në përmirësimin e cilësisë dhe furnizimit të energjisë elektrike, ashtu dhe në tarifën e konsumatorëve (kjo, pasi humbjet zënë një kosto të konsiderueshme në tarifë). Po kështu, është parashikuar që kompania të ketë një target të përmirësimit të arkëtimit prej 1% në çdo periudhë rregullatore”.