E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin aplikimet për bursa studimore në Spanjë

29/01/2009  Plotësimi i formularit on-line

Çelen aplikimet për marrjen e bursave studimore në Spanjë gjatë vitit të ardhshëm akademik. Plotësimi i formularit të aplikimeve do të bëhet on-line në faqen zyrtare të internetit https://www.becasmae.es për këto programe. Specialistët e marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Arsimit kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme se janë një sërë bursash studimi që ofrohen nga Agjencia Spanjolle për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zhvillimin (AECID). Programi i bursave për vitin 2009 përfshin oferta studimi në Spanjë me një kohëzgjatje nga tre muaj deri në një vit akademik, të ndara këto sipas fushave të caktuara. Konkretisht, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për fusha të tilla studimi, si: bursa për studime të gjuhës dhe kulturës spanjolle si dhe bursa për studime pasuniversitare, doktoraturë ose studime shkencore në Spanjë. Në marrjen e informacionit për mënyrën e përgatitjes së dokumentacionit lidhur me llojin e bursave që ofrohen, si dhe afateve e mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit on-line, kandidatët e interesuar duhet t’i drejtohen faqes së mësipërme të internetit. Përveç detajimeve të bëra për specifikat e çdo programi mësimor, në këtë faqe aplikantët do të njihen edhe me afatet e plotësimit dhe dorëzimit të kërkesave konkurruese. Menjëherë pas mbylljes së procedurës së aplikimit do të fillojë faza përzgjedhëse e kandidatëve që plotësojnë kriteret e që do të bëhen pjesë e këtyre studimeve gjatë vitit 2009-2010, këto procedura do të kryhen dhe me ndërmjetësimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›