E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e maturës shtetërore, pas 12 Korrikut

TIRANE- Maturantët e këtij viti nuk do të pajisen më me dëftesë pjekurie, por me Diplomë të Maturës, e cila fakton mbarimin e studimeve të shkollës së mesme.
Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu tha se Diploma e Maturës do të fillojë të shpërndahet pas 12 korrikut, kohë kur do të publikohen edhe rezultatet e provimeve me zgjedhje.
Këto diploma, sipas tij, do t’i jepen fillimisht maturantëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit. Të dhënat e marra nga MASH, tregojnë se këtë vit janë rreth katër mijë maturantë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit.

Diploma e Maturës nuk do të jetë vetëm në gjuhën shqipe, por dhe në anglisht, për t’u dhënë më shumë rëndësi, sikundër mund të përdoren edhe në rastet kur maturantët do të shkojnë jashtë vendit. Ky dokument në përmbajtjen e tij do të ketë gjeneralitetet përkatëse të nxënësit, si dhe konfirmimin që ka mbaruar studimet e mesme në shkollën përkatëse. Ndërkohë, bashkangjitur diplomës, do të jetë edhe çertifikatën e notave, në të cilin do të evidentohen të gjitha rezultatet e arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë vjetëve të shkollimit për të gjitha lëndët që ka studiuar. Po ashtu, në suplementin apo listën e notave do të shënohen edhe rezultatet e arritura në katër provimet e detyruara të maturës 2011.
Diploma, sikundër edhe suplementi, do të kenë elemente të caktuara sigurie, në mënyrë që të jenë të pafalsifikueshme. Ky dokument nuk do të lëshohet më nga shkolla, por nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e provimeve të këtij viti, maturantët detyrimisht duhet të marrin të katër provimet për të marrë Diplomën e Maturës për të vazhduar më pas procedurën për pranimet në shkollat e larta publike. Ky kusht tashmë do të jetë i vlefshëm edhe për strukturat private, në të cilat do të kontrollohet cilësia e pranimeve.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›