E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomat e reja, në protestë të gjithë studentët e UT-së



Pas bojkotimit të mësimit për tri ditë, studentët e Filologjikut i janë rikthyer sërish protestave për diplomat e Bolonjës. Megjithëse nuk kanë gjetur ende zgjidhjen që kërkojnë për diplomat, ata shprehen të vendosur për të vijuar protestat, aq më tepër që tashmë janë edhe më të shumtë në numër. Ditën e djeshme, protestës së studentëve të Fakultetit Filologjik i janë bashkuar edhe studentë të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës. Nëse kundërshtimi i diplomës në formën e protestave nuk do të ketë rezultat, studentët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë veprimet duke u futur në grevë urie. Deri tani, Ministria e Arsimit nuk u ka kthyer asnjë përgjigje pozitive studentëve, ndërkohë që ata kërkojnë me ngulm vendosjen e titullit të studimit në diplomë. Por, heshtjen e Ministrisë së Arsimit për mosplotësimin e kërkesës së studentëve e ka thyer para katër ditësh vetëm këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj. Sipas tij, diplomat e reja të sistemit të Bolonjës janë pa vlerë nëse nuk shoqërohen me suplementin përkatës. Gjithashtu Tafaj ka sqaruar se diploma e re e Bolonjës duhet konsideruar si një diplomë me vlerë të plotë për të kërkuar punë në fushën ku ka studiuar studenti/ja ose për të vijuar studimet e nivelit të dytë (Master) në drejtimin e njëjtë të studimeve ose në drejtimet e afërta me të.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›