Studimet dhe kërkimet në universitetet e BE-së, ja mundësitë që ofrohen
Nëse kërkon informacion për të studiuar në një universitet të BE-së, për të bërë një kurs të thjeshtë apo mastër; për t’u përfshirë në një program, për të marrë pjesë në një konferencë shkencore apo grup studimor, tashmë është e thjeshtë: me mbështetjen e Brukselit është krijuar një portal, i cili vepron si një burim informacioni i cilësisë së lartë për kërkime për studentë apo profesorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtu jepen informacione për direktori, programe dhe projekte të universiteteve dhe qendrave kërkimore europiane, të cilat krijojnë mundësi të pafundme studimore dhe shkencore. Portali i Koordinimit të Politikave Kërkimore me vendet e Ballkanit Perëndimor ka faqen e internetit; xxx.xbc-inco.net. Gazeta sjell për lexuesit në këtë numër disa prej mundësive që kanë edhe të rinjtë shqiptarë.
Tempus IV, thirrja e dytë
Më 28 janar të këtij viti ka nisur lançimi i thirrjes së dytë për propozime në kuadër të programit Tempus IV, që synon të kontribuojë në drejtim të lehtësimit dhe bashkëpunimit në fushën e asimit të lartë mes shteteve anëtare dhe vendeve partnere. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në këtë program. Tempus IV synon mbështetjen e zhvillimit të arsimit të lartë sipas Kartës së Lisbonës dhe Kartës së Bolonjës. Aplikimet mund të bëhen deri më 28 prill 2009, deri në orën 16.00. Tempus IV përbëhet nga dy instrumente kryesore. Së pari, realizimi i projekteve të përbashkëta që synojnë modernizimin dhe reformën në nivel universitar (institucional); kurrikulat, bashkëpunimin mes strukturave universitare të BE-së me ato të vendeve të rajonit, etj. Së dyti, ka të bëjë me masat strukturale. Projektet synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e reformës së sistemeve të arsimit të lartë në vendet partnere, duke i nxitur dhe mbështetur për arritjen e standardeve të BE-së. Në këtë program marrin pjesë institucionet dhe organizmat e arsimit të lartë, institucionet joakademike dhe organizata joqeveritare, kompani dhe autoritete publike. Këto përfshijnë 27 vendet e BE-së, 6 vende të rajonit të Ballkanit, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën. Po ashtu, përfshihen edhe 15 vendet fqinje të shteteve të Europës Lindore dhe Juglindore, (vendet e Mesdheut), Federata Ruse dhe pesë shtete aziatike. Informacionet për Tempus IV mund të gjenden në http://ec.europa.eu/tempus dhe http://ec.europa.eu/education/programmes/tempus/call09_en.html.
“Erasmus Mundus” për studentët
Edhe për vitin akademik 2008-2009 dhe atë në vazhdim do të ketë mbështetje financiare dhe shtim të studentëve nga rajoni për në universitetet e Bashkimit Europian. Programi “Erasmus Mundus” ka shënuar rritje të mbështetjes për studentët ballkanas. Për vitin 2007-2008 nisën vitin akademik në universitetet e BE-së 100 të rinj në kuadër të projektit “Ë///////estern Balkans Ë///////indoë"; për vitin 2008-2009 nisën 500 studentë dhe për vitin që po vjen BE-ja ka ofruar 10 milionë euro për të mbështetur financiarisht studimet e të rinjve nga rajoni. Për vitin akademik 2009-2010 pritet të përfshihet edhe Turqia në programin e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Në Portalin e Koordinimit të Politikave Kërkimore me vendet e Ballkanit Perëndimor jepen informacione të detajuara për të gjitha fushat e studimit, ofertat e universiteteve dhe degët apo kuotat e lira.
BE-ja rishikon politikat ndaj Ballkanit, publikohen 90 përparësitë
Komisioni Europian ofron mbështetje për lehtësim vizash, mundësi kërkimi dhe studime për të rinjtë e rajonit
“Më shumë viza, mundësi për kërkim shkencor dhe studime”. Këto janë tre përparësitë kryesore të Bashkimit Europian në rishikimin e politikave të saj për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në dokumentin e prioriteteve të viteve 2008-2009, të rishikuar dhe publikuar dje në Bruksel, tregohen sektorët, të cilëve do t’u jepet mbështetje në mënyrë që të lehtësojnë dhe zhvillojnë progresin e këtyre vendeve në rrugëtimin për t’u anëtarësuar në BE. Aty janë përcaktuar 90 aktivitete dhe nisma konkrete që janë dhe do të mbështeten nga BE-ja në këtë periudhë 2-vjeçare . “Hapat më të rëndësishme në drejtim të udhëtimit më të lirshëm të vizave drejt BE-së, rritja e numrit të studentëve që studiojnë në universitetet europiane, më tepër mbështetje për shoqërinë civile, më tepër bashkëpunim rajonal dhe integrim në sektorë të tillë si transporti, tregtia, parandalimi i sëmundjeve dhe koordinimi më i mirë me donatorët për uljen e ndikimit nga kriza financiare, janë pikat më të rëndësishme”, - thuhet në njoftimin e bërë publik ditën e martë. Komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, tha se mirëpret progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë këtyre viteve. “Unë jam krenar që Bashkimi Europian kontribuoi me mënyra konkrete në këtë drejtim”, - tha Ren. Sipas tij, po kërkohet gjithnjë e më tepër progres, në mënyrë që 2009-a të jetë një vit i rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”. Komisioni Europian është duke vlerësuar progresin në vendet e rajonit dhe mund të propozojë heqjen e kushtit për viza në vazhdim të vitit 2009, sipas të dhënave të çdo vendi, duke u siguruar se janë realizuar objektivat. “Për ta bërë të mundur këtë, janë garantuar instrumente financiare”, - thonë zyrtarë të BE-së. Duke filluar nga viti akademik 2009-2010 do të ketë dyfishim të numrit të studentëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në universitetet europiane. Kostoja përllogaritet të jetë rreth 20 milionë euro, shumë që do të përfitohet në forma të ndryshme nga studentët. Po ashtu, paralajmërohet hapja e programeve dhe agjencive të tjera të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor që do të jenë një shembull konkret i bashkëpunimit mes institucioneve shkencore dhe arsimore. Në 90 prioritetet e përcaktuara nga BE-ja, ku do të jepet mbështetje, janë edhe zhvillimi i shoqërisë civile, mbështetja dhe bërja sa më funksionale e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit dhe nxitja tregtare përmes CEFTA-s.
Përgatiti Albert Gjoka
4 Shkurt 2009