T ia nisësh nga fillimi
Të luftosh për një copë diplomë, është beteja që ka më shumë vlerë në Shqipëri. Braktisja e auditoreve, rrëmbimi i banderolave dhe pankartave, bllokimi i dyerve të Ministrisë së Arsimit apo Rektoratit, është zgjidhja më e mirë për të gjithë të rinjtë, të cilët, nëse do të veprojnë ndryshe, do të marrin një “pusullë” që nuk do t’u vlejë për asgjë. Përfundimi i fazës së parë të sistemit që nisi të aplikohet tre vjet më parë dhe dhënia e diplomave hibride “ala Bolonja”, po tregon mungesën e vizionit dhe transparencës për hapat e hedhura deri tani, në mos dështimin e reformave në sektorin publik të arsimit të lartë. Të rinjtë, që tashmë duhet të vazhdonin nivelin e parë të masterit, janë të detyruar të protestojnë, sepse nuk u është thënë asgjë se çfarë do të bëhet me shkollimin e tyre; nuk u është bërë e ditur tre vjet më parë se për çfarë studiojnë dhe se çfarë profesioni do të kenë në jetë, ndonëse ata vetë dhe familja kanë shpenzuar kohë dhe para gjatë gjithë këtyre viteve.
Pas gati një dekade propagande për reforma dhe aplikim të Kartës së Bolonjës në universitetet tona, sërish është e paqartë vlera dhe perspektiva e të rinjve që diplomohen nëpër universitetet publike. Çdo vit dalin nga auditoret e fakulteteve tona me mijëra juristë, ekonomistë, mjekë, mësues, specialistë, inxhinierë, etj.. Përballja e tyre me tregun e punës apo vlerat profesionale që tregojnë në strukturat e administratës shtetërore, nuk është në nivelin e pritshëm. Reformat në sistemin arsimor janë vlerësuar si më të dobëtat gjatë gjithë këtyre viteve, gjë që ka ndikuar edhe në parametrat apo cilësinë e zhvillimit të vendit. Një e metë e tillë është konstatuar edhe nga ekspertët e huaj, të cilët, prej 18 vitesh kanë harxhuar para pa fund për zbatimin e projekteve të tyre në Shqipëri, por që nuk kanë marrë rezultatet e pritshme. Dhe kjo ka ndodhur, kryesisht, për shkak të mangësive në formimin arsimor të specialistëve apo punonjësve të administratës, ndonëse nuk neglizhohen edhe faktorë të tjerë. Tashmë duket se proceset do të nisin nga fillimi. Një sinjal i tillë jepet nga vetë BE-ja, e cila po i kushton një vëmendje të madhe programeve për arsimimin e të rinjve nga Ballkani (përfshirë edhe Shqipërinë) dhe po shtyn për më vonë projektet e nisura disa vite më parë.
Edhe studentët shqiptarë, që kanë dalë në protesta ditët e fundit, ndodhen në një dilemë: të pranojnë skemën që ofrohet nga Ministria e Arsimit për të marrë një copë letër që nuk do t’i vlejë nesër në tregun e punës; apo për të kërkuar një diplomë që i jep një profesion. Pakkush i jep zgjidhje një situate të tillë, por ata që kanë mundësi dhe aftësi sërish zgjedhin alternativën e largimit nga vendi i tyre e, më pas, me më pak shpresa dhe dëshirë për t’u kthyer në vendlindje.
4 Shkurt 2009