E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksa e infrastrukturës, investitorët do të paguajë vetëm 0.1% të vlerës



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ndryshimet në projektligjin "Për taksat lokale". Në projektin e ri parashikohet ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë për çdo investim të kryer në masën 0.1 për qind të vlerës së tij, kur më parë kjo taksë varionte nga 1-4 për qind. Konkretisht, këto taksa janë nga 1 deri në 3 për qind të vlerës së investimit, ku përjashtim bënte vetëm Bashkia e Tiranës, ku kjo taksë varionte nga 2-4 për qind. Ekspertë të Ministrisë së Financave shpjeguan se vlera e këtyre taksave është vendosur duke mos pasur parasysh projektet e mëdha në infrastrukturë, siç janë ato në fushën e energjisë apo hidrocentralet. "Vlera e këtyre projekteve është shumë e madhe, që shkon deri në 1 miliard euro dhe aplikimi i këtyre taksave do të rriste koston e investimit", - thanë ekspertët. Ndërkohë, ekspertët shtuan se investitori në këto projekte paguan tërësisht koston e infrastrukturës, që bëhet e papërdorshme apo që dëmtohet.

Punonjësit në sektorin e transporteve do të pajisen me sigurim të detyruar

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi dje një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e shoqërive të sigurimit në vend, lidhur me projektligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit". Projektligji propozohet me qëllim përmirësimin e bazës ligjore të sigurimit të detyrueshëm. Ky zhvillim ligjor ndërmerret në një kohë kur tregu i sigurimeve ka avancuar me shpejtësi dhe kërkohen ndryshime ligjore në përgjigje të këtij zhvillimi, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare. Çdo pasagjer në rast fatkeqësish në udhëtime do të dëmshpërblehet nga agjencitë e sigurimit. Qeveria, me projektligjin e ri, ka parashikuar sanksione të reja për sigurimin e udhëtarëve, që duhet të realizohet dhe nga ana e pronarëve të përdoruesit të mjeteve motorike. Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik.
Minimumi i shumës së siguruar si detyrim i një shoqërie në kontratën e sigurimit është 2 milionë lekë. Kjo përfshihet për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit në rast vdekjeje. Ndërsa minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer në rast të paaftësisë së përhershme është 4 milionë lekë. Në nenin 20 të këtij drafti theksohet se pasagjeri i përfshirë në një aksident ose përfituesi në rast kur pasagjeri vdes, ka të drejtë sipas kushteve të kontratës së sigurimit, të kërkojë që shoqëria e sigurimit, me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit, të paguajë detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë drejtpërdrejt tek ai. Në projektligj janë përcaktuar pagesat minimale të sigurimeve për dëmet që shkaktohen nga aksidentet me pasojë vdekjen. Kufiri minimal është 50 milionë lekë. Për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme, sigurimi shkon deri në 200 milionë lekë. Për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një ngjarje për autobusët dhe kamionët, përfshirë rimorkiot, shoqëria e sigurimit duhet të paguajë 15 milionë lekë, ndërsa për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme shuma që duhet të paguajë shoqëria e sigurimit shkon në 20 milionë lekë.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›