Diplomat, studentët tentojnë grevën
VLORE - Studentët e Juridikut në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë tentuan të futen në grevë urie. Pas këtij veprimi, rektori Tanush Shaska paralajmëroi me e-mail se studentët që guxuan do të përjashtohen nga auditorët. Dje, drejtues të universitetit morën masa të menjëhershme së bashku me policinë e rendit, të cilët evituan futjen e të rinjve përsëri në grevë urie. Mësohet se shtatë studentë të Juridikut, të cilët do të diplomohen këtë vit, ishin përgatitur që të futeshin në grevë urie brenda një prej ambienteve të universitetit, por dyert u janë mbyllur. Sipas tyre, futja përsëri në grevë mund të bëhej për të njëjtën arsye që u futën edhe të rinjtë vitin e kaluar, diplomat, siç e ka sistemi 4-vjeçar. Ata do të vijojnë të kërkojnë diplomat me sistemin që janë futur në vit të parë, dhe jo me atë të tanishmin. Menjëherë pas këtij veprimi, rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, ka nisur një e-mail. “Sot në godinën B ka pasur një përpjekje të dështuar nga disa studentë për të krijuar një incident dhe për të krijuar imazhin e një greve të studentëve. Disa individë janë përpjekur të futen në godinë me forcë. Falë pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit te Shkencave Humane, kjo përpjekje dështoi. Individë të tillë janë mjaft negativë për UV-në dhe për shoqërinë tonë. Duke përfituar nga situata politike ata përpiqen të krijojnë amulli dhe rrëmujë në universitet. Ne do t’i identifikojmë këta studentë dashakeqës dhe do t’i përjashtojmë ata menjëherë”, thuhej në e-mailin e nisur studentëve dhe pedagogëve nga ana e rektorit Shaska. “Asnjëherë nuk do të lejojmë që situata politike të shfrytëzohet brenda UV-së. Asnjëherë nuk do të lejojmë që dinjiteti i këtij universiteti me të cilin ne jemi krenarë të merret nëpër këmbë. Falënderoj të gjithë studentet dhe pedagogët për vigjilencën dhe gatishmërinë”, thuhej në deklaratën e Shaskës. q.b