Vetëvaret vajza në Itali nga frika e kthimit në Shqipëri
Një vajzë shqiptare 16 vjeç, nxënëse e Liceut të Gjuhëve të Huaja, në Torino, u vetëvra dy ditë më parë nga frika se mund të kthehej në Shqipëri. Udhëtimet nëpër botë dhe zotërimi i shkëlqyer i gjuhës angleze, ishin ëndrrat e nxënëses Edlira Gjeçi, e cila i dha fund jetës dy net më parë, duke u vetëvarur në Itali. Pothuajse të gjitha mediat italiane e kanë përshkruar në këtë mënyrë vendimin fatal të adoleshentes nga Kavaja, e cila u gjet e varur mbi krevatin e prindërve, me kabllon e televizorit. Adoleshentja prej katër vitesh ishte larguar nga Kavaja, bashkë me familjen e saj dhe jetonin në provincën Varçeli të Torinës në Itali, ku ajo vazhdonte studimet në Liceun e Gjuhëve të Huaja. Sipas mediave italiane, babai i saj, Qerim Gjeçi, prej 3 muajsh ishte kthyer në Kavajë, për t’u kujdesur për pronat që ka atje. Kjo gjë e kishte frikësuar vajzën 16-vjeçare Edlira Gjeçi. Ajo dyshonte se bashkë me familjen mund të kthehej një ditë në Shqipëri dhe do detyrohej të braktiste shkollën dhe ëndrrat e saj për udhëtime dhe arsimim. Kohët e fundit këtë frikë ajo e kishte pasqyruar edhe në rrjetin social të Facebook, ku vazhdimisht shprehej, “Nuk dua të kthehem në Shqipëri”. Edhe hetuesit po verifikojnë në këtë drejtim, për të shpjeguar arsyet e vetëvrasjes. Policia ka verifikuar në cilësinë e provave materialet e gjetura në kompjuterin e 16-vjeçares.
VETEVARJA
E para që ka parë trupin e pajetë të 16-vjeçares Edlira Gjeçi, ishte nëna e vajzës, e cila kishte dalë për të bërë pazarin. Në shtëpi nuk ndodhej as motra 11-vjeçare e Edlirës, e cila kishte dalë me miqtë. Ky ka qenë momenti kur adoleshentja ka zgjedhur për t’u vetëvrarë. Fqinjët deklaruan për policinë se Adriana Gjeçi, nëna e vajzës, kërkoi ndihmën e tyre sapo u fut në shtëpi dhe tentoi të shpëtonte të bijën, por e kuptoi shumë shpejt se vajza kishte vdekur. “Dëgjuam Adrianën që filloi të bërtiste me zë të lartë dhe të kërkonte ndihmë, sepse mbi krevatin e saj gjeti vajzën të varur me kabllon e televizorit”, kanë deklaruar fqinjët e familjes Gjeçi në Itali. Ndërsa dje të afërmit e vajzës në Itali, filluan përgatitjet për ta transportuar me nxitim trupin e 16-vjeçares në Kavajë, ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore. Të gjithë ata që njihnin Edlira Gjeçin, janë shprehur dje për mediat italiane, se familja e adoleshentes, nuk e kishte lënë kurrë që t’i mungonte asgjë, por ajo kishte frikë se nuk do të mund t’i realizonte ëndrrat e saj dhe kjo e shqetësonte prej kohësh. Në shkollë ajo cilësohej si nxënëse model, që kishte marrë nota maksimale në të tre vitet që ishte e regjistruar. Për pak ditë, ajo do të festonte 17-vjetorin, shkruajnë mediat italiane. Mësueset dhe shokët e klasës, shpresonin shumë se ceremonia mortore do të zhvillohej në provincën ku ajo banonte, por kur janë njoftuar se familjarët po përgatiteshin për ta kthyer në qytetin e saj të lindjes, ata kanë nxituar që të ngushëllojnë të afërmit e Edës, siç e thërrisnin ata.
Vajza në Facebook: S‘dua të kthehem në Shqipëri
Nxënësja model, në Liceun e Gjuhëve të Huaja, të Torinos, Edlira Gjeçi, prej kohësh shprehej në rrjetin social të Facebook, se nuk donte të kthehej në Shqipëri dhe t’i thoshte lamtumirë të ardhmes së saj në Itali. Sipas shokëve të saj të klasës, vajza kishte shumë dëshirë të mësonte anglishten, të studionte dhe të udhëtonte nëpër vendet më të bukura të botës. Dhe për të realizuar ëndrrat e saj, ajo ishte shndërruar në një nga nxënëset më të mira të Liceut “Rosa Stampa”, ku ndodhen rreth 600 nxënës të huaj. Por prej gati tre muajsh, që kur i ati u kthye në vendlindje, vajza po kalonte ditë të mbushura me frikë dhe shqetësim, duke menduar se mund të kthehej edhe ajo në Shqipëri. Adoleshentja nuk ka lanë letër para se të vetëvritej, por vetëm mendimet e saj dhe frikën e vazhdueshme që e shkruante vazhdimisht në kompjuterin e saj, të cilin tashmë e ka sekuestruar policia, për të gjetur prova të dobishme për hetimet.