E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti në Bulqizë: Në Qeveri, drafti i ligjit të ri për minierat



BULQIZE – “Shumë shpejt do të dorëzohet në Qeveri drafti i ligjit të ri minerar, ligj që merr parasysh statusin e minatorit dhe rregullon marrëdhëniet e shtetit me subjektet minerare”. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Bulqizë me drejtues të pushtetit vendor dhe minierave, ka bërë të njohur dhe të rejat në fushën ligjore. “Jemi duke punuar në shumë drejtime, por e gjithë puna jonë bie poshtë nëse na ndodhin aksidente në minierat e kromit”, pohoi Prifti. Ai tha se dikasteri që drejton ka hartuar një plan veprimesh për të disiplinuar dhe ligjëruar aktivitetin minerar në Bulqizë. “Qëllimi kryesor i këtij plani veprimesh, - nënvizoi Prifti, - është sigurimi i jetës së njerëzve si dhe disiplinimi i plotë i aktivitetit të subjekteve që kanë marrë leje shfrytëzimi minerar. Kjo është një pasuri e madhe e vendit dhe duhet të menaxhohet në të mirë të shqiptarëve”. Ministri Prifti inspektoi minierën që menaxhohet nga firma austriake “Albania Krom” dhe më pas ka zhvilluar një takim me Task-Forcën e ngritur në këtë rreth nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, Xhafer Seiti. Ky i fundit foli në takim për ecurinë e punës së institucioneve të ngarkuara me ligj për të larguar nga minierat dhe stoqet të personave apo subjekteve të palicencuara. Në takim kanë folur edhe kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, drejtues të policisë, tatimeve e sigurimeve shoqërore. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›