Vrasja në gjimnaz, drejtuesit: Në pikëpyetje mbrëmja e maturës
ELBASAN - Pas vrasjes së maturantes në klasë, shkolla “Mahir Domi” ka anuluar të gjitha aktivitetet kulturore, të cilat ishin programuar gjatë këtyre ditëve. Ndërsa në pikëpyetje mbeten edhe mbrëmjet e maturës, të cilat ishin parashikuar të mbahen në muajin korrik. Drejtuesit e shkollës vendosën të anulojnë pjesëmarrjen në konkursin “Maratona Rinore”, i cili zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit dhe qendrën e artit. Sipas burimeve nga gjimnazi, brenda të cilit humbi jetën Gerta Bahja, asnjë aktivitet nuk do të organizohet gjatë këtij fundviti shkollor, në shenjë respekti e nderimi për nxënësen e vitit të katërt, e cila u qëllua për vdekje nga tre plumba pistolete. Autori i kësaj vrasjeje ishte 19-vjeçari nga Vlora Endrit Llambraj, i cili pasi ekzekutoi vajzën që donte, vrau edhe veten në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit. Drejtues të shkollës “Mahir Domi” u shprehën dje se ende nuk është vendosur nëse mbrëmjet e maturës që ishin programuar në muajin Korrik do të zhvillohen. Dje Gjykata e Elbasanit liroi edhe rojën e shkollës për të cilin u vendos detyrim paraqitjeje. Drejtoria Arsimore në Elbasan, që nga e mërkura e kësaj jave e deri sa të jetë e nevojshme ka vendosur në dispozicion të shkollës “Mahir Domi” 6 psikologë. a.k